A duhet të rritet numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë?

  • Dora Mekouar

Ndërsa republikanët po nxitojnë të konfirmojnë para zgjedhjeve gjykatësen Amy Coney Barrett, e emëruara e Presidentit Donald Trump për të zëvendësuar Ruth Bader Ginsburg në Gjykatën e Lartë, disa demokratë liberalë po hedhin idenë për të shtuar më shumë vende në gjykatën me nëntë anëtarë.

Numri i gjyqtarëve ka ndryshuar me kalimin e kohës, nga gjashtë e deri në 10, por numri ka qenë i qëndrueshëm në nëntë që nga viti 1869. Në vitet 1930, Presidenti Franklin D. Roosevelt u përpoq të shtonte numrin e anëtarëve të gjykatës për të mbrojtur legjislacionin e tij të quajtur “New Deal”, Marrëveshja e Re, një paketë programesh masive që synonte rimëkëmbjen vendit pas Depresionit të Madh ndaj të cilit Gjykata kishte votuar vazhdimisht kundër. Presidenti Roosevelt nuk arriti ta rriste numrin e anëtarëve të Gjykatës.

Nëse demokratët fitojnë Shtëpinë e Bardhë dhe sigurojnë shumicën në Senat, duke ruajtur kontrollin e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, nuk ka asnjë pengesë kushtetuese për ta ndjekur një ide të tillë.

"Nuk ka asgjë në Kushtetutë që të thotë se Gjykata e Lartë duhet të ketë një ose dy ose pesë ose 10 anëtarë", thotë Calvin Schermerhorn, profesor historie në Universitetin Shtetëror të Arizonës. "Nuk shprehet lidhur me numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Aty thuhet vetëm se do të ketë kryetar gjykate dhe se Kongresi do të ketë komptencën t’i jape formë gjykatës në mënyrë të tillë që të jetë në interesin më të mirë të drejtësisë."

Demokratëve do t’u duhej të ndryshonin rregullat e kërkuara në Senat për të ulur pragun për miratimin e legjislacionit nga 60 vota në një shumicë të thjeshtë të dhomës prej 100 anëtarësh për të ndryshuar numrin e anëtarëve në Gjykatën e Lartë.

Kandidati demokrat për president Joe Biden nuk ka pranuar të thotë nëse ai do të mbështeste një zgjerim të Gjykatës së Lartë nëse fiton zgjedhjet dhe demokratët marrin përsëri kontrollin e Senatit, por ka premtuar ta bëjë të njohur qëndrimin e tij përpara ditës së zgjedhjeve.

Zgjerimi i gjykatës për arsye politike mund të dëmtojë integritetin e Gjykatës së Lartë, thotë Nicole Huberfeld, profesore e drejtësisë në Universitetin e Bostonit.

"Njerëzit që tani shqetësohen se Gjykata e Lartë është një aktor politik, në vend që të jetë jopolitike. Unë mendoj se shtimi i gjyqtarëve në mënyrë që një president të mund të caktojë një numër të madh gjyqtarësh mund të ndikojë në integritetin institucional, ose të paktën perceptimin e integritetit institucional, " tha ajo.

"Autoriteti i gjykatës kryesisht vjen nga respektimi i vendimeve të gjyqtarëve dhe gjykata në vetvete nuk ka asnjë mënyrë për të siguruar që vendimet e saj të zbatohen," shton Huberfeld. "Nëse njerëzit humbin besimin tek ligji, atëherë gjykata do të kishte një problem të integritetit institucional."

Sipas sondazheve publike, shumica e amerikanëve kanë besim se Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vepron në interesin më të mirë të kombit, por një numër në rritje njerëzish shqetësohen se anëtarë e saj po përzihen shumë me politikën.

Megjithëse një Gjykatë e Lartë e politizuar mund të jetë diçka alarmante për disa sot, skenari do të ishte i njohur për themeluesit e shtetit amerikan, sepse gjykata shihej si një zgjatim i politikës partiake në shekullin e 19.

"Brezi i parë i udhëheqësve amerikanë, nga të ashtuquajturit themelues, përdori gjykatat si një krijesë të legjislativit. Dhe kështu, gjyqësori federal, veçanërisht, supozohej të ishte në varësi të vullnetit të përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike," thotë Schermerhorn.

Përpjekja e republikanëve për të realizuar me shpejtësi konfirmimin e gjykatëses Barrett është veçanërisht e hidhur për demokratët që vazhdojnë të jenë të indinjuar sepse republikanët bllokuan me sukses në vitin 2016 konfirmimin e Merrick Garland, i emëruari i Presidentit Barack Obama për të zëvendësuar gjykatësin Antonin Scalia, në fillim të një viti zgjedhjesh. Tani, republikanët po nxitojnë të konfirmojnë zonjën Barrett vetëm disa ditë para një zgjedhjeje tjetër presidenciale, gjë që do të krijonte një shumicë solide 6-3 konservatore në Gjykatën e Lartë.

Por përsëri, thotë Schermerhorn, asgjë nga ato nuk do t’i kishte shqetësuar themeluesit e kombit.

"Ata do ta kishin kuptuar që kjo është luftë politike dhe jo çështje e parimit kushtetues," thotë ai. "Nuk do të kishte pasur mëdyshje që partia në pushtet të bënte pikërisht atë që bëri udhëheqësi i shumicës Mitch McConnell gjatë mandatit të tij si udhëheqës i Senatit të kontrolluar nga Republikanët. Kjo nuk do të thotë që ky është një model që duhet të ndiqet, që vetëm për shkak se themeluesit menduan ose bënë diçka do të thotë se është e denjë për t’u përsëritur ".

Huberfeld thotë se është e rëndësishme të mos harrohet se puna e gjykatës së lartë nuk kufizohet vetëm tek ato pak raste që tërheqin më shumë vëmendjen dhe polemikat, të tilla si ato që merren me kujdesin shëndetësor, abortin ose të drejtat LGBTQ.

"Mënyra se si gjykata vendos çështjet nuk ka të bëjë vetëm me një numër i vogël çështjesh për të cilat njerëzit kanë prirjen të flasin në biseda politike. Ka shumë çështje që vijnë para gjykatës, që janë vetëm interpretimi themelor ligjor. Ka shumë çështje që gjykata i shqyrton që kanë të bëjnë me procedurat penale, "thotë ajo. "Në mënyrë tipike, të paktën në epokën moderne, pasi njerëzit emërohen, ata priren ta marrin atë emërim mjaft seriozisht dhe për ta lënë mënjanë politikën".

Ajo thekson se gjyqtarët nuk i marrin gjithmonë vendimet, siç pritet. Për shembull, interpretimi i Kushtetutës nga gjykatësi konservator Scalia e bëri atë të mbrojë të drejtat e të pandehurve penalë. Ndërsa i emëruari i zotit Trump, Neil Gorsuch hartoi mendimin e shumicës se punonjësit homoseksualë dhe transgjinorë mbrohen nga Ligji i të Drejtave Civile.

"Pra, unë mendoj se çështja para gjykatës nuk ka të bëjë gjithmonë me një ideologji politike të veçantë që njerëzit mendojnë se përqafojnë gjyqtarët. Ka të bëjë më shumë me faktin se çfarë çështjeje shtrohet para gjykatës dhe si e interpretojnë gjykatësit atë," thotë Huberfeld .