OBSH: Remdesivir nuk rekomandohet për pacientët në spitale

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dalë me një rekomandim të ri kundër përdorimit të remdesivirit tek pacientët me COVID, qofshin në gjendje të rëndë apo kritike. Sipas organizatës, nuk ka prova që dëshmojnë se kjo terapi përmirëson shanset për t’i mbijetuar sëmundjes apo ul nevojën e pacientit për ventilator.

Your browser doesn’t support HTML5

OBSH: Remdesivir nuk rekomandohet për pacientët në spitale


Terapia antivirale remdesivir është një ndër dy protokollet e mjekimit aktualisht në përdorim kundër COVID-19 në mbarë botën. Por një provë e gjerë e zhvilluar nën udhëheqjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregoi muajin e kaluar se nuk kishte aspakt efekt ose efekt shumë të vogël tek shanset e pacientëve me COVID për ta luftuar sëmundjen.

"Japim një rekomandim me kusht që të mos përdoret remdesiviri në pacientët e shtruar në spital, pavarësisht sa e rëndë është gjendja e pacientit,” thotë Dr. Janet Diaz e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Udhëzimet e reja janë një tjetër goditje për këtë terapi të zhvilluar nga kompania amerikane Gilead, e cila tërhoqi fillimisht vëmendje botërore duke deklaruar se kishte një mjekim të efektshëm kundër COVID-it. Remdesiviri u përdor për të mjekuar Presidentin Trump kur u diagnostikua me këtë sëmundje. Kjo terapi ka marrë miratim për përdorim në më shumë se 50 vende.

Grupi i OBSH që rishikon udhëzimet në reagimin ndaj COVID-it, tha se kishte dalë me rekomandimin e ri pasi kishte analizuar prova të rastësishme ndërkombëtare me mbi 7000 pacientë që treguan se nuk kishte ulje të ritmeve të vdekshmërisë apo përmirësim në raagimin e pacientët në pavionet e kujdesit intensiv:

"Kjo nuk dëshmon që remdesiviri nuk ka asnjë efekt pozitiv, prandaj edhe e quajmë rekomandim me kusht, pasi mund të ketë në realitet një efekt, në një grup specifik, të vogël pacientësh, prandaj rekomandojmë vazhdimin e provave,” tha Dr. Diaz

Dr. Janet Diaz shtoi se ka ende vend për të vazhduar studimin e efekteve të terapisë për të kuptuar më mirë efektet e saj:

“Duam të dimë se cili grup përfiton. Ndoshta pacientët në gjendje të rëndë dhe jo kritike? Duam të dimë kur është momenti i duhur për t’i trajtuar me remdesivir, sapo diagnostikohen apo më vonë. Presim të mësojmë më shumë që t’ua shtojmë udhëzimeve,” thotë Dr. Diaz.

Në pritje të një vaksine për parandalimin e sëmundjes, OBSH rekomandon vazhdimin e terapive të tjera dhe protokolleve mjekësore që kanë dhënë deri tani rezultat.

"Rekomandojmë me të madhe përdorimin e steroideve në pacientë në gjendje kritike apo të rëndë dhe gjithashtu terapitë e frymarrjes,” thot Dr. Diaz.

Rekomandimet kundër remdesivirit lënë në pikëpyetje fatin e porosisë me vlerë prej 1 miliardë eurosh që bëri Bashkimi Evropian muajin e kaluar për 500 mijë doza remdesiviri.