Britania, BE ende larg në qëndrimet për Brexit

Britania dhe Bashkimi Evropian janë ende larg në bisedimet tregtare për çështjen Brexit por Kryeministri Boris Johnson nuk dëshiron të largohet ende nga bisedimet, tha të hënën sekretari i biznesit Alok Sharma.

Britania dhe BE ranë dakord të dielën që të "bëjnë një përpjekje shtesë" në ditët e ardhshme për të arritur një marrëveshje tregtare pavarësisht skadimit të afatit të tyre të fundit për të shmangur një dalje të trazuar të Britanisë nga BE-ja në fund të muajit.

"Ne do të vazhdojmë të diskutojmë, natyrisht që jemi të ndarë për çështje të caktuara por siç tha kryeministri, ne nuk duam të largohemi nga këto bisedime," i tha zoti Sharma televizionit Sky.

"Njerëzit presin nga ne, bizneset presin që ne në Britani të ecim më tej dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë," tha ai.

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe presidentja e Komisionit Ekzekutiv të BE-së, Ursula von der Leyen, u kishin dhënë negociatorëve një afat deri të dielën për të gjetur një zgjidhje të ngërçit, me një marrëveshje të mundshme që do t’i garantonte Britanisë një tarifë zero dhe qasje me kuotë zero në tregun e BE-së.

Të dielën ata u kërkuan negociatorëve të vazhdonin punën, megjithëse zoti Johnson u shpreh me tone pesimizmi mbi perspektivën për të bërë përparim.

"Çdo marrëveshje që ndërmarrim me BE-në duhet të respektojë faktin se ne jemi një vend sovran, një vend i pavarur dhe kjo është baza mbi të cilën ne do të bëjmë marrëveshje nëse ka një të tillë për t'u bërë," tha zoti Sharma.