Gjen. McKenzie: SHBA dhe Irani para një “periudhe mundësish”

  • VOA

Mënyra se si do të marrin formë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit gjatë administratës së Presidentit Biden mbetet të shihet, por një gjeneral amerikan thotë se dy vendet kundërshtare po futen në një “periudhë mundësie”.

Gjenerali Frank McKenzie, i cili drejton Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara, i bëri komentet për gazetarët ndërsa po udhëtonte me avion drejt Lindjes së Mesme.

Disa analistë kishin parashikuar se Irani, ose vegla të tij në rajon, mund të ndërmerrnin veprime gjatë javëve të fundit të administratës së Presidentit Trump si hakmarrje për qëndrimin e ashpër të Uashingtonit ndaj Teheranit, veçanërisht vrasjen e Gjeneralit Qassem Soleimani të Gardës Revolucionare të Iranit.

“Kryesisht, ata kanë qënë në gjendje t’u tregojnë (veglave të tyre) se muk është koha për të provokuar një luftë. Ndoshta jo e gjitha është rezultat i komponentit ushtarak. Kam bindjen se Irani ka bërë një llogari politike, për të parë nëse gjërat do të ndryshojnë me administarën e re”, tha zoti McKenzie.

Një amerikan me njohuri të thella se si vepron regjimi iranian, i tha sherbimit persian të Zërit të Amerikës se administrata e Presidentit Biden nuk duhet të zbusë qëndrimin deri sa të lirohen të gjithë amerikanët e ndaluar nga qeveria iraniane.

“Me aq sa di unë, janë të paktën katër amerikanë në burgjet e Iranit”, tha Xiyue Wang, një student kinezo-amerikan i cili u burgos në Iran nga viti 2016 deri në vitin 2019 nën akuza për spiunazh. “Ata duhet të lirohen dhe të kthehen në shtëpite e tyre para çdo lehtësimi sanksionesh të vendosura ndaj Iranit.”

Wang u lirua në një shkëmbim të burgosurish. Ai i tha sherbimit persian të Zërit të Amerikës se Presidenti Biden duhet të “përfitojë nga avantazhi i krijuar si rezultat i politikës së presionit maksimal të ushtruar nga administrata pararendëse.”

“Administrata e Presidentit Biden duhet të tregojë durim dhe të jetë realiste dhe të mos nxitojë të kthehet tek marrëveshja bërthamore me Iranin”, tha ai.

Fuqitë botërore dhe Irani arritën një marrëveshje në vitin 2015, duke i ofruar Teheranit lehtësimin e sanksioneve në shkëmbim të braktisjes së aktivitetit bërthamor që mund të çonte në prodhimin e uraniumit të shkallës luftarake. Presidenti Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga kjo marrëveshje në vitin 2018.

“Regjimi iranian na arrestoi ne ndërsa po negocionte me Shtetet e Bashkuara, e madje edhe pas arritjes së marrëveshjes”, tha Xiyue Wang.