Reforma e imigracionit e Presidentit Biden përballet me sfida

Demokratët paraqitën të enjten një projekt-ligj të bazuar në përparësitë e imigracionit të administratës së presidentit Biden që do të siguronte një rrugë drejt shtetësisë për 11 milion emigrantë pa dokumente. Ndërkohë zyrtarët do të fillojnë të shqyrtojnë statusin e azilkërkuesve nga Amerika Qendrore, të cilët u kthyen mbrapsht dhe u detyruan të qëndronin në Meksikë nën një politikë të diskutueshme të administratës Trump që është shfuqizuar.

Your browser doesn’t support HTML5

Reforma e imigracionit e Presidentit Biden përballet me sfida


Duke filluar nga e premtja, zyrtarët amerikanë do të fillojnë të shqyrtojnë statusin e deri 25,000 migrantëve të kthyer mbrapsht nën një politikë të ish-presidentit Trump, një lajm i mirë për azilkërkuesit, përfshirë ata në kufirin e Teksasit me Meksikën.

"Mrekullia jonë po realizohet. Jemi shumë të lumtur për këtë", thotë Nicol Bueso, një migrante nga Hondurasi.

Të enjten ligjvënësit demokratë paraqitën një projekt-ligj për të rritur fondet për të trajtuar numrin e madh të azilkërkuesve. Akti i Shtetësisë në Shtetet e Bashkuara do të rrisë numrin në dispozicion të kartave të gjelbra në kuadër të lotarisë amerikane, do të ndryshojë fjalën "i huaj" në "jo shtetas" në ligjin amerikan dhe do të sigurojë një rrugë drejt shtetësisë për 11 milion emigrantë pa dokumenta.

"Është e bazuar në vlera, por edhe e dobishme ekonomikisht. Dhe siç e kam thënë gjithmonë, emigrantët që vijnë në vendin tonë, të sapoardhurit, vijnë me shpresat dhe ëndrrat dhe aspiratat e tyre, me optimizmin dhe vendosmërinë për ta bërë të ardhmen më të mirë për familjet dhe këto janë tipare amerikane", tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

I hartuar me synimin për të kthyer mbrapsht katër vitet e politikave të vijës së ashpër së ish-presidentit Trump, ligji nuk ka gjasa të marrë mbështetje të mjaftueshme të republikanëve në Senat.

"Është një projekt-ligj shumë radikal, pasi e hap shumë kufirin për valë të tjera imigracioni të paligjshëm, e bën qeverinë pjesëmarrëse në imigracionin e paligjshëm. Dhe po ashtu eliminon bazat për kthimin mbrapsht të tyre. Pra jo vetëm që do të vinin më shumë të huaj të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe nuk do të deportonim shumë prej atyre që janë këtu”, thotë studiuese për sigurinë kombëtare në Fondacioni Heritage, një organizatë konservatore.

Projektligji pasqyron përparësitë e imigracionit që Presidenti Joe Biden prezantoi disa orë pasi bëri betimin.

Por për shkak të mungesës së mbështetjes dypalëshe, ai mund të ndahet në pjesë të veçanta, përfshirë dispozitat për punëtorët e domosdoshëm që punojnë në industri kritike gjatë pandemisë si furnizimi me ushqim dhe bujqësia, dhe për ata që janë sjellë si imigrantë pa dokumenta kur ishin fëmijë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki pranoi se demokratët mund të kenë nevojë të bëjnë kompromis

por sinjalizoi se zoti Biden dëshiron legjislacion të gjerë për reformën e imigracionit.

"Presidenti mendon se të gjitha kërkesat e përfshira në projektligj - elementët e projektligjit - e bëjnë atë gjithëpërfshirës. Të gjitha duhet të adresohen; kjo është arsyeja pse ai i propozoi së bashku."

Administrata thotë se është e përkushtuar ndaj politikave njerëzore të imigracionit, por duke qenë se kufizimet e lidhura me pandeminë të administratës Trump janë ende në fuqi, shumica e migrantëve në kufi do të kthehen mbrapsht gjithsesi.

"Ne duhet t’i hedhim një vështrim situatës së migrantëve në kufi dhe t'i qasemi asaj nga një këndvështrim i lidhur me shkencën dhe jo nga një perspektivë politike e krijuar për të larguar migrantët. Ne shpresojmë që presidenti t’i zbusë kufizimet në kufi, për të cilat ekspertët e shëndetit publik thonë se nuk janë të nevojshme, sepse është e rëndësishme të rifillojmë shqyrtimimin e kërkesave të azilit, pasi njerëzit janë të dëshpëruar ", thotë Aaron Reichlin-Melnick, Këshilltar i Politikave në Këshillin Amerikan të Emigracionit.

Në fillim të këtij muaji Biden njoftoi një rritje të pranimeve vjetore të refugjatëve, e cila ra në një minimum historik nën zotin Trump.

"Deri në 125,000 persona për vitin e parë të plotë fiskal të administratës Biden-Harris", tha ai.

Reforma e imigracionit është një nga premtimet kryesore të fushatës për zotin Biden, të cilin ai do që ta zbatojë ndërsa demokratët kanë shumicën në Kongres.