Covid-19, ndihma amerikane për Indinë

  • Cindy Saine

Mes kritikave se përgjigja e Shteteve të Bashkuara ndaj krizës COVID-19 në Indi ka qenë e ngadaltë, Presidenti Joe Biden po dërgon një gamë të gjerë ndihmash në Indi, e cila është goditur nga një valë e dytë vdekjeprurëse e koronavirusit.

Your browser doesn’t support HTML5

COVID-19, ndihma amerikane për Indinë

Në mbarë Indinë, sheh turra drush që digjen gjatë varrimeve të gati 200,000 njerëzve që kanë vdekur nga koronavirusi. Në Nju Delhi, një parkim u kthye në krematorium të improvizuar dhe banorët thanë se nuk kishin pare kurrë skena të tilla.

Familjet në spitale si ky në Bareilly grinden me infermierët dhe mjekët, pasi të dashurit e tyre po vdesin për shkak të mungesës së oksigjenit.

Presidenti Joe Biden tha se foli gjatë me Kryeministrin indian Narendra Modi të hënën dhe se SH.B.A. po dërgojnë menjëherë një sërë ndihmash për të cilat India ka nevojë.

“Ne po dërgojmë pjesë mekanike që janë të nevojshme për prodhimin e vaksinës. Po diskutojmë gjithashtu se kur mund të dërgojmë vaksina në Indi, gjë që është edhe synimi im", tha presidenti.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë me shpejtësi që vaksinat e tjera, si Novavax, të miratohen për përdorim, dhe më pas mund të dërgojnë vaksina dhe të ndajnë njohuri teknike, me vendet e tjera si India që kanë aq shumë nevojë.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes John Kirby tha se Pentagoni po mobilizohet.

"Departamenti ynë po punon ngushtë me agjencitë e tjera amerikane për të dërguar me shpejtësi pajisje oksigjeni, pajisje të testimit të shpejtë, pajisje mbrojtëse personale dhe materiale të tjera tek partnerët tanë indianë“, tha zëdhënësi.

Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara do të japin gjithashtu mbështetje për punonjësit e kujdesit shëndetësor të Indisë.

Me rritjen dramatike të rasteve në Indi, mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se në takimin e tyre javën e ardhshme, anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë duhet të heqin dorë përkohësisht nga e drejta e pronësisë intelektuale, për të zgjeruar qasjen ndaj vaksinave COVID-19 për më shumë vende.

“Administrata Biden sigurisht që është në gjendje të thotë: Kjo është një krizë. India, ka gati 300,000 infeksione të reja në ditë. Ne do të pezullojmë përkohësisht të drejtën tonë të kësaj prone intelektuale dhe do të lejojmë që ata të mund të prodhojnë sa më shumë vaksina'', thotë Sarah Holewinski e organizatës Human Rights Watch.

Ekspertë të tjerë thonë se kriza në Indi kërkon një përgjigje globale, siç është kjo ndihmë mjekësore që mbërriti atje nga Britiania.

"Kjo do të kërkojë që vendet e tjera në Evropë dhe Kina të ndihmojnë indianët të përballen me atë që unë mendoj se do të jetë një shifër tronditëse vdekjesh nga kjo rritje e rasteve", thotë Brian Katulis i Qendrës për Progresin Amerikan.

Analistët thonë se imazhet tronditëse në Indi mund të bëjnë që vendet të ndryshojnë mendim, dhe të lejojnë dërgimin e vaksinave dhe ilaçeve që shpëtojnë jetë njerëzish.