Autoritetet ruse kanë njoftuar sot se do të dëbojnë një diplomat nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Moskë. Minisrtia e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse, vendimin ia ka bërë të ditur ushtrueses së detyrës Ambasadore e Maqedonisë së Veriut në Moskë, Olivera Çausheska Dimovska, siç njofton Ministria e jashtme në Shkup.
Ministria ruse ia ka dorëzuar notën diplomates maqedonase për shpalljen ‘person i padëshitruar’ të një diplomati maqedonas – Atashe në Ambasadën në Moskë, ndërsa nuk njoftohen hollësi rreth ktij vendimi.
Autoritetet në Shkup shprehin keqardhje për këtë veprim, të cilin e quajnë të pabazë nga pala ruse “që paraqet një vendim mbi parimin e hakmarrjes politike dhe që do të ndikojë në mënyrë negative në intensitetin e marrëdhëineve dypalëshe midis dy vendeve”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Punëëve të Jashtme në Shkup.
Shkupi para tre javësh e shpalli për person të padëshiruar një diplomat rus, emri i të cilit nuk u bë i ditur, e as arsyet për këtë vendim, përveçse theksonte që thërritej në Konventën e Vjenës.
Në Nenin 9 të Konventës thuhet: “Shteti që jep akreditimin, në çdo kohë mund ta dëbojë shefin e misionit apo cilindo qoftë anëtar të personelit diplomatik edhe pa patur nevojë për arsyetimin e këtij vendimi”.
Sipas një pjese të medias në Shkup, diplomati rus kishte ushtruar aktivitete që nuk përputhen me sjelljen e një diplomati të huaj, i cili vepron në vendin pritës. Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski e pat quajtur çështjen si të ndjeshme, teksa ishtë shprehur se “rasti ishte dokumentuar mirë”.
Maqedonia e Veriut për të dytën herë dëbon një diplomat rus. Hera e parë kishte të bëjë me solidarizimin me Britaninë e Madhe lidhur me rastin e njohur “Skripal” në vitin 2018.