Provë vaksine për të hyrë në Muzetë e Vatikanit

Muzetë e Vatikanit, në të cilat ndodhen disa nga thesaret më të mëdha të artit në botë, të premten filluan të kërkojnë çertifikatën e vaksinimit për vizitorët. Dëshmia e imunizimit mund të jetë në formë dixhitale ose e printuar në letër.

Turistë dhe adhurues të artit presin në radhë për të hyrë në muzetë mahnitëse të Vatikanit.

Your browser doesn’t support HTML5

Provë vaksine për të hyrë në Muzetë e Vatikanit

Ata mirëpresin zbatimin e masës së miratuar nga qeveria italiane, me qëllim të luftimit të variantit shumë ngjitës të koronavirusit, Delta.

Çertifikata e vaksinimit është një dokument dixhital ose i printuar në letër që tregon nëse njerëzit janë vaksinuar, janë testuar negativë, ose nëse janë shëruar nga COVID-19.

Dëshmia e veksinimit është e detyrueshme për të hyrë në bare, restorante, palestra, kinema, teatro, muze, ngjarje sportive dhe koncerte.

Pasi hyri në fuqi në të gjithë Italinë, edhe shteti i vogël i Vatikanit që ndodhet në Romë, vendosi zbatimin e çertifikatës së vaksinimit.

"Mendoj se çertifikata e vaksinimit është një masë e mirë sepse kufizon përhapjen e infeksionit. Në këtë vend të gjithë janë të lirë të zgjedhin, prandaj askush nuk është i detyruar të vaksinohet, por për mendimin tim çertifikata është gjë e mirë sepse përhapja e variantit Delta nxjerr situatën jashtë kontrollit”, tha Tosca Riboni, banore e Romës.

"Nëse çertifikata e vaksinimit është mënyra për rikthimin e jetës në normale, le të bëhet”, thotë banorja tjetër e Romës, Giusy Dido.

Italia po ndjek hapat e Francës, që është vendi i parë evropian që njoftoi se dëshmia e imunizimit do të jetë e detyrueshme për qasje në një sërë shërbimesh dhe vendesh.

"Në Francë ka disa ditë që zbatohet. Ne punojmë në një muze dhe na është bërë shprehi. Mendoj se organizimi është i lehtë, prandaj jemi të lumtur që edhe këtu kërkohet çertifikata e vaksinës”, thotë Emilie Girard, turiste nga Franca.

Para një dite qeveria njoftoi se nga 1 shtatori do të zgjerojë zbatimin e çertifikatës së vaksinës për të gjithë mësuesit, studentët e universiteteve dhe punonjësit e transportit në rrugë të gjata.