Aleena Jun Nawabi ka lindur në Afganistan, por u soll në Shtetet e Bashkuara si një viktimë e plagosur e luftës dhe kaloi shumë vite duke u trajtuar në spital. Sot, ajo punon në Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) dhe po përpiqet të ndihmojë shumë njerëz që të largohen nga Afganistani.
"Unë jam nga periudha e pushtimit sovjetik. Familja ime erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitet 1990. Unë kam ardhur këtu para familjes sime”, thotë ajo.
Aleena Jun Nawabi po vuante nga djegie të rënda kur mbërriti në Shtetet e Bashkuara.
"Nuk mbaj mend saktësisht se çfarë kishte ndodhur. E pyeta nënën time për këtë, por ajo ishte e traumatizuar pasi më kishte parë mua duke u djegur", thotë ajo.
Për vite me radhë, ajo qëndroi në spital, ku u shkollua, festoi ditëlindjen dhe madje zbukuroi pemën e Krishtlindjes.
Sot, Nawabi punon në Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), një organizatë që mbështet myslimanët në SHBA. Ajo po bën atë që mundet për të ndihmuar më shumë njerëz të largohen nga Afganistani, pasi ky vend tani kontrollohet nga talebanët. Për zonjën Nawabi, kjo është një histori lufte që nuk ka fitues.
“Kemi ndihmuar në evakuimin e shumë familjeve. Tani, kam një listë me rreth 147 njerëz, dhe secili prej tyre është njohur me Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike në San Diego", thotë ajo.
Sot, është e pamundur të marrësh një pasaportë në Afganistan ose një vizë për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Mënyra e vetme për të marrë çdo lloj dokumentacioni është plotësimi i një formulari në internet, por një numër shumë i vogël njerëzish në Afganistan kanë qasje në internet.
Nawabi po bën gjithëçka mundet për të ndihmuar të afërmit dhe familjet e shtetasve amerikanë që ende jetojnë në Afganistan. Ajo gjithashtu po punon për të strehuar përkohësisht ata që tashmë kanë arritur të largohen.
"Në mesin e njerëzve të evakuuar ka edhe fëmijë. Ne kemi një sasi lodrash për ata, në mënyrë që ata të luajnë dhe të përdorin aftësitë e tyre krijuese", thotë Aleena Jun Nawabi.
Duke patur parasysh përvojën e saj të largimit nga Afganistani dhe vështirësitë me të cilat ajo vetë u përball kur ishte fëmijë, Nawabi thotë se është e kënaqur që tani është në gjendje të ndihmojë të tjerët. Përmes punës së saj, ajo po përpiqet të ndihmoj vajzat në të njëjtën moshë që ajo ishte kur erdhi në Amerikë.