Pas bllokimit që nga 20 shtatori, rrugët kryesore në veriun e Kosovës, që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, u rihapën për lëvizjen e makinave.
Your browser doesn’t support HTML5
Mëngjesin e së shtunës forcat paqeruajtëse të KFOR-it u vendosën në këto vendkalime, sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për t’i dhënë fund krizës në veriun e Kosovës.
Tensionet përfshinë zonën më 20 shtator pasi që serbët lokal dhe Beogradi reaguan me zemërim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës, për të zbatuar reciprocitetin për përdorimin e targave të makinave.
Qeveria vendosi që nga 20 shtatori, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet në Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë. Ajo dërgoni atje njësitë e posaçme për të siguruar zbatimin e vendimit.
Protestuesit serbë vendosën barrikada në rrugë ndërsa Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.
Lexoni edhe këtë Arrihet marrëveshja për krizën në veriun e KosovësTë enjten palët arritën në Bruksel një marrëveshje trepikëshe, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, e cila parashihte atë që edhe ndodhi gjatë ditës së sotme – largimin e barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare.
Sipas marrëveshjes nga e hëna me 4 tetor, do të zbatohet vënia e fletë ngjitëseve në targat e makinave deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare dhe një grup punues do të fillojë nga puna më 21 tetor për të gjetur një zgjidhje të përhershme.
Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, sipas marrëveshjes morën përsipër sigurimin e vendkalimet kufitare për dy javët në vijim.
Policia e Kosovës tha nëpërmjet një komunikate se “gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë, i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare, vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”.
I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, tha se zbatimi i marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja është një përparim i mirë për Kosovën dhe Serbinë. Ai theksoi se prania e KFOR-it është e përkohshme dhe se brenda dy javësh pret që operacionet kufitare t’i rikthehen normalitetit. “Koha për të shfrytëzuar këtë momentum dhe për tu ri angazhuar me zell në bisedime”, shkroi ai në rrjetin Twitter.
Good progress by Kosovo & Serbia implementing the EU-brokered agreement at the border. @NATO_KFOR’s presence is temporary, in two weeks we expect border operations to return to normal. Time to build upon this momentum and reengage earnestly in the Dialogue.
— Chargé d%27Affaires Nicholas J. Giacobbe, Jr (@USAmbKosovo) October 2, 2021
Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, u shpreh i kënaqur me zbatimin e marrëveshjes, duke nënvizuar se “liria e lëvizjes dhe tregtisë është themeli i integrimit rajonal dhe përparimit ekonomik. Tani duhet të përqendrohemi në një zgjidhje të qëndrueshme”, shkroi ai.
Pleased to see faithful implementation of compromise agreed in Brussels. Freedom of movement and trade is the foundation of regional integration and economic prosperity. We must now focus on a durable solution.
— Ambassador Anthony Godfrey (@usambserbia) October 2, 2021
Marrëveshja e së enjtes u përshëndet nga diplomatët perëndimorë, ndërsa u kritikua ashpër nga partitë opozitare në Kosovë, të cilat thanë se me këtë, qeveria e Kosovës hoqi dorë nga sovraniteti në veriun e vendit.
Marrëveshja e 30 shtatorit që fillon të zbatohet nga sot, pritet të ulë tensionet, por ajo pasqyron vetëm një pjesë të mospajtimeve të thella ndërmjet Kosovës që ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe Serbisë e cila kundërshton shtetësinë e saj.