Palestinezët gjithnjë e më të pakënaqur me udhëheqjen e tyre 

E ardhmja politike e Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, është në pikëpyetje, ndërsa ka tregues për pakënaqësi në rritje në radhët e palestinezëve. Shumë prejt tyre kërkojnë që ai të japë dorëheqjen. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein, nga qyteti Ramallah i Bregut Perëndimor, popullariteti i udhëheqësit palestinez është në rënie megjithë përpjekjet e tij për të punuar me izraelitët për përmirësimin e kushteve të palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Your browser doesn’t support HTML5

Palestinezët gjithnjë e më të pakënaqur me udhëheqjen e tyre

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas po përpiqet të mbijetojë politikisht, ndërsa anketimet tregojnë se 80% e palestinezëve dëshirojnë dorëheqjen e tij.

Popullariteti i tij nuk u përmirësua pas takimit të tij rishtazi me Ministrin izraelit të Mbrojtjes, Benny Gantz, kur Izraeli njoftoi disa masa për të lehtësuar kushtet e jetesës të palestinezëve.

“Nuk duket se ka ndonjë shpresë që kushtet do të ndryshojnë në ndonjë mënyrë domethënëse, qoftë për sa i përket marrëdhënies me izraelitët, qoftë për t’i dhënë fund apo për ta lehtësuar pushtimin, ose për sa i përket reformave brenda Autoritetit Palestinez, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve, paqtimin e Bregut Perëndimor, Gazas, Fatahut dhe Hamasit, apo përmirësimin e kushteve ekonomike. Panorama e përgjithshme në mendjet e palestinezëve është se gjërat vetëm do të përkeqësohen”, i tha Zërit të Amerikës Khalil Shikaki, nga Qendra Palestineze për Studimin e Politikave.

Vitin e kaluar, palestinezët protestuan për korrupsionin dhe veprimet anti-demokratike të administratës së zotit Abbas, si mbylljen e parlamentit, Këshillit Legjislativ Palestinez, dhe anullimin e të gjitha zgjedhjeve kombëtare gjatë 15 viteve të fundit. Ata fajësojnë Mahmoud Abbasin.

“Ata thonë se qeverisja e tij gjatë dekadës së fundit është bërë gjithnjë e më shumë autoritare, nuk ka pavarësi në gjyqësor, nuk ka shtyp të lirë, shoqëria civile po kufizohet dhe se gjithçka bëhet që ai të qëndrojë në pushtet”, i thotë Zërit të Amerikës zoti Shikaki.

Shumë njerëz gjithashtu dënojnë bashkëpunimin e zotit Abbas me Izraelin.

“Nën drejtimin e Presidentit Mahmoud Abbas, marrëdhënia politike me shtetin e Izraelit dhe negociatat janë ndalur plotësisht. Tashmë roli i Autoritetet Palestinez është vetëm t’i ofrojë shërbime sigurie shtetit të Izraelit. Për momentin kjo mund të jetë gjë e mirë për Izraelin. Por në periudhën afatgjatë, kjo diskrediton Autoritetin Palestinez dhe besimin që kanë njerëzit tek ky autoritet. Për rrjedhojë, kjo dobëson aftësinë e Autoritetit që të kontrollojë popullsinë nga pikëpamja e sigurisë”, i tha Zërit të Amerikës Dimitri Diliani, nga Fraksioni Fatah i Reformave Demokratike.

Nga këndvështrimi i Izraelit, zoti Abbas ka qenë një forcë stabilizuese në Bregun Perëndimor, ku forcat e tij të sigurisë kanë ndihmuar në parandalimin e dhjetëra sulmeve palestineze. Zyrtarët izraelitë të sigurisë thonë se alternativa e vetme në vend të qeverisë së zotit Abbas do të ishte Hamasi, të cilën ata e konsiderojnë një organizatë terroriste.

“Sigurisht që nuk ka nevojë të biem dakort për gjithçka me Autoritetin Palestinez. Dhe sigurisht ka diferenca të mëdha mes politikave të Izraelit dhe politikave palestineze. Por shohim se gjatë 10-15 viteve të fundit, Autoriteti Palestinez po bën shumë përpjekje për ta luftuar Hamasin. Mund të bashkëpunojmë me ta. Pra, na duhet një Autoritet Palestinez më i fortë”, thotë Gonen Ben Itzhak, ish-zyrtar i zbulimit izraelit.

Vëzhguesit thonë se në fakt Autoriteti Palestinez është në një pozitë të dobët për shkak se përballet me një krizë ekonomike. Ata besojnë se zoti Abbas nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të flasë për ndihma ekonomike, pasi izraelitët refuzuan të negociojnë në një proces paqeje.