Në Shkodër u zhvillua sot konferenca shkencore “Luigj Gurakuqi mes nesh” në përkujtim të këtij përsonaliteti të shquar të lëvizjes kombëtare, arsimore dhe kulturore, në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë.
Pjesëmarrësit theksuan rendësinë e nderimit dhe përkujtimit të figurave te shquara, që lanë gjurmë të rëndësishme në historinë dhe kulturën e kombit.
“Sipas Nolit, Gurakuqi ka qenë pionier i qytetërimit përëndimor. Ai ka punuar më gjatë dhe më shumë për t’a mjellë këtë farë. Dhe, siç shprehet, me privacione dhe vojtje e me tortura të çdo minute, përpara të cilave edhe Ferri i Dantes është një panair i bukur”, tha prof.dr. Nertila Ljarja.
Si rrallëkush, Luigj Gurakuqi përjetoi ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit të kaluar. Në shumicën prej tyre, tha rektorja e Universitetit të Shkodrës, profesoresh Suzana Golemi, ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, madje edhe ndër organizatorët dhe drejtuesit kryesor të tyre, ç’ka dëshmon përmasat e përsonalitetit dhe formimit të tij.
“Ishte bashkëpunëtor i ngushtë dhe shoqërues i Ismail Qemalit qysh në hartimin e Memorandumit të Greçes e deri në aktin historik të shpalljes së Pavarësisë. Pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Londër, aktivist i shoqërisë “Bashkimi” dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Burrë shteti, ministër arsimi, ministër i brendshëm, ministër i financave, themelues i Komisisë Letrare, drejtor i Normales së Elbasanit”, theksoi ajo.
Kontributi i Gurakuqit në fushën e arsimit kombëtar lidhet edhe me hapjen e Normales së Elbasanit, drejtori i parë i të cilës ai ishte. E hapur në dhjetor të vitit 1909, Normalja e Elbasanit është shkolla e parë e arsimit profesional në gjuhën shqipe, krijuar në bazë të vendimeve të Kongresit të Elbasanit, i cili ishte mbajtur tre muaj më parë, në po atë vit.
“Do përpiqet që misioni i Normales, si vatër e përgatitjes së mësuesve, të kuptohej gjithnjë e më shumë. Edhe kur deshën t’ia ndërronin profilin për t’a bërë gjimnaz, është Gurakuqi që kundërshton dhe argumenton nevojën e madhe të arsimit kombëtar për shkollën Normale të Elbasanit”, tha prof.dr. Fatmir Vadahi.
Konferenca e sotme shkencore kushtuar Luigj Gurakuqit ishte edhe një kujtese për autoritetet vendore të qytetit të tij të lindjes, Shkodrës, të cilët në vitin 1995 lejuan shkatërrimin e shtëpisë muze të Luigj Gurakuqit. Që prej atij viti, objektet dhe dokumentet e pasura të këtij muzeu mbahen të mbyllura në magazinën e Muzeut Historik të qytetit të Shkodrës, larg syve të vizitorëve.
Konferencë shkencore në Shkodër në nderim të Luigj Gurakuqit
Your browser doesn’t support HTML5
Konferencë shkencore në Shkodër në nderim të Luigj Gurakuqit