Gjermania mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës – pret rezultate nga bisedimet me Serbinë

  • Leonat Shehu

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, tha të enjten se qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme për Gjermaninë, ndërsa u shprehu mbështetje aspiratave të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ajo i bëri këto komente në Prishtinë ku po qëndron në kuadër të një vizite në rajon, mes shqetësimeve rreth luftës në Ukrainë dhe rrezikut për destabilizimin e Ballkanin Perëndimor. Një ditë më parë zonja Lambrecht qëndroi në Bosnje e Hercegovinë ndërsa të enjten gjatë ditës vizitoi Beogradin, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Your browser doesn’t support HTML5

Ministrja gjermane e mbrojtjes viziton Kosovën

Gjermania mbështet shumë qartë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO, mirëpo në këtë rrugë duhet të ecët dhe mund të ketë pengesa por ne mbështesim Kosovën në këtë rrugë”, tha ajo duke nënvizuar se edhe bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të rëndësishme drejt këtij anëtarësimi.

Ajo tha se 13 maji do të jetë një ditë kur mund të arrihen rezultate drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky proces shpresoj që do të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që do të ketë edhe vendime të mira më 13 maj në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin edhe vendimet për njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe ky do të ishte një sinjal i mirë”, tha ajo.

Më 13 maj delegacionet e të dyja vendeve pritet të diskutojnë në Bruksel dhe nga suksesi i atij takimi varet nëse do të ketë takime të reja në nivelin më të lartë politik ndërmjet palëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se të mërkurën gjatë një darke joformale me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë trajtuar temat që pritet të diskutohen më 13 maj ndërmjet ekipeve teknike.

Më 13 maj unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet edhe për zgjidhje reciproke sa i përket targave të automjeteve, edhe sa i përket çështjes së mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë, kur e dimë që janë edhe 1 mijë 617 individë që mungojnë”, tha kryeministri Kurti.

Lexoni edhe këtë Kurti dhe Vuçiç në Berlin – përpjekje e re për ripërtëritje bisedimesh

Ai tha se dialogu i Kosovës me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian duhet të zhvillohet përbrenda vlerave të Bashkimit Evropian dhe duhet të ketë karakter transformues, “ku edhe Kosova edhe Serbia me qytetarët e tyre përfitojnë dhe i afrohemi anëtarësimit në BE. Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje por kjo duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë në qendër. Nuk them që njohja reciproke do të jetë i vetmi element i marrëveshjes por duhet të jetë në qendër, do të ketë edhe elemente të tjera për të cilat nuk mund ta kenë kuptimin pa këtë qendër që është njohja e ndërsjellë”.

Takimi i së mërkurës në Berlin, ishte i pari që nga korriku i vitit të kaluar.

Kryeministri Kurti, tha pas takimit se qëndrimet e presidentit serb mbeten të vjetra dhe nuk mundësojnë përparim drejt një marrëveshjeje.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se diskutimet ishin shumë të vështira dhe se sipas tij problemi për Beogradin është se “disa refuzojnë të flasin fare për Asociacionin e komunave serbe”.

Presidenti serb tha të enjten pas një takimi me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock se pozicioni politik i Serbisë nuk ka qenë “kurrë më i rëndë” dhe se është “ndërlikuar edhe më shumë” nga deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ditë më parë krahasoi çështjen e Krimesë dhe rajoneve separatiste në Ukrainën Lindore me Kosovën.

Që nga agresioni rus në Ukrainë, Serbia është përpjekur të balancojë aspiratat e saj evropiane me aleancën e saj me Rusinë.

Ndonëse në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbështeti dënimin e agresionit rus në Ukrainë, Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë.

Presidenti serb tha se pavarësisht anketave që tregojnë se rruga evropiane e Serbisë nuk është më e popullarizuara, udhëheqja serbe është e përkushtuar ndaj saj.

Rruga evropiane e Serbisë sikurse edhe ajo e Kosovës është e kushtëzuar nga përparimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.