Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se Kosovës dhe Serbia si vende sovrane i përcaktojnë vet përparësitë e tyre në politikën e jashtme.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai bëri këto komente në një përgjigje për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës pasi Serbia reagoi me zemërim ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa paralajmëroi tërheqje të njohjeve të pavarësisë së saj.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, mblodhi të premten Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar situatën e krijuar pas kërkesës së Kosovës, të cilën ai e cilësoi si shkelje të marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën ishte arritur pajtimi që brenda një periudhe një vjeçare, Kosova të mos kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare ndërsa Serbia të ndalë fushatën e tërheqjes së njohjeve për Kosovën.
Një zëdhënës i departamentit amerikan të shtetit tha se Kosova dhe Serbia janë vende sovrane me të drejtë që të përcaktojnë përparësitë e tyre në politikën e jashtme. Në përgjigje thuhet se moratoriumi synonte të zgjerojë hapësirën për diskutim dhe kompromis ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është në interesat strategjike të të dyja vendeve.
“Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë thelbësore për të dy vendet për të zhbllokuar të ardhmen e tyre evropiane dhe për të nxitur angazhimin urgjent, fleksibël dhe serioz në atë proces”, thuhet në përgjigje.
Ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviç, tha në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se Serbia është në pozitë shumë të vështirë dhe nën trysni të jashtëzakonshme për të pranuar, sic u shpreh, "shkeljen e tërësisë tokësore të saj". Duke paraqitur kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova, tha ai, dëshmoi se nuk është e interesuar për marrëveshje nëpërmjet bisedimeve por ka zgjedhur veprimet e njëanshme.
Ministri serb u tha gazetarëve se katër shtete kanë vendosur të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës me nota diplomatike, të cilat presidenti serb Vuçiç, mund t'i publikojë kurdo që e vlerëson të nevojshme duke u dhënë, siç tha, mundësinë vendeve anëtare të Këshillit të Evropës të mos nisin procedurën e pranimit të Kosovës në muajin qershor.
Lexoni edhe këtë Kosova dorëzon kërkesën për anëtarësim në Këshillin e EvropësKosova dorëzoi të enjten kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Autoritetet në Prishtinë thonë se pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, tashmë janë hapur mundësitë për anëtarësim, ndërsa shpresojnë të sigurojnë mbështetjen e dy të tretave të 46 vendeve anëtare sa është e nevojshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, tha në një konferencë me gazetarë të premten në Prishtinë se kërkesa e Kosovës është hapi më i rëndësishëm i vendit në rrugën drejt integrimeve evropiane, që nga shpallja e pavarësisë.
"Jemi shumë të lumtur që për kërkesën tonë për anëtarësim gëzojmë mbështetje të gjerë në Këshillin e Evropës. Prandaj jemi njëkohësisht të kujdesshëm dhe mirënjohës, por edhe optimistë që homologët e mi në Këshillin e Evropës me datën 20 maj të këtij viti, do ta mirëpresin kërkesën tonë për anëtarësim”, tha zonja Gërvalla Schwarz.
Paralajmërimet e Serbisë për tërheqje të njohjes së Kosovës, ajo i quajti qasje destruktive ndaj fqinjëve duke nënvizuar se ato paraqesin dy mundësi, njëra është që janë lajme të rreme dhe tjetra është që Serbia nuk ka pushuar asnjëherë në fushatën e saj për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Beogradi i mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës e cila është njohur nga mbi 110 vende të botës dhe i kundërvihet çdo veprimi të Prishtinës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.