Kosova shpall person të padëshirueshëm gazetaren ruse Daria Aslamova

Ilustrim

Daria Aslamova, që punon për tabloidin rus Komsomolskaya Pravda, e cila u ndalua të shtunën nga policia e Kosovës në një vendkalim kufitar me Serbinë, është liruar dhe është shpallur person i padëshirueshëm në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se krahas shpalljes si person i padëshirueshëm asaj i është ndaluar për pesë vjet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Sveçla në një postim në rrjetin Facebook.

Të shtunën ministri Sveçla tha se “shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”. Në njoftimin e tij u publikuan fotografi të gazetares me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, me presidentin sirian Bashar al-Assad, ish presidentin irakian Sadam Husein etj.

Lexoni edhe këtë Ndalohet në Kosovë gazetarja kundërthënëse ruse Daria Aslamova

Komsomolskaya Pravda tha se zonja Aslamova ishte dërguar në terren për të përgatitur raport të posaçëm mbi tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të dielën e kaluar tensione të larta shpërthyen në veri ku grupe serbësh të mbështetur nga Beogradi, u hodhën në protesta dhe bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimet e qeverisë së Kosovës për të vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

Qeveria e Kosovës vendosi të pezullojë deri më 1 shtator zbatimin e vendimeve me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”, shkroi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Kosova u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, ndërsa Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka bërë një gjë të tillë. Beogradi gëzon mbështetjen e Moskës në kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës të cilën e njohin mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.