Mali i Zi, diplomati rus shpallet person i padëshiruar

Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi ka shpallur person të padëshiruar një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse, të akredituar në Mal të Zi.

Kjo ministri njoftoi se “ vendimi është marrë për shkak të aktiviteteve që janë në kundërshtim me nenin 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.”

Njoftimi zyrtar për këtë vendim, i cili përcakton afatin prej shtatë ditësh për largimin nga territori i Malit të Zi, i është dorëzuar të premten ambasadorit të Federatës Ruse në Podgoricë.

Në fillim të prillit Ministria e Jashtme e Malit të Zi e ka shpallur person të padëshiruar edhe katër diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.