Pas një udhëtimi që zgjati më shumë se katër muaj, në pothuajse gjysmën e një kontinenti, një 19-vjeçare venezueliane e cila është dhe shtatzënë thotë se i vjen keq që emigroi në Shtetet e Bashkuara. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Divalizeth Cash foli me 19-vjeçaren dhe partnerin e saj, ndërsa të dy tregojnë për ato që kanë kaluar.
Your browser doesn’t support HTML5
19-vjeçarja nga Venezuela tregon historinë e emigrimit në SHBA
Katër muaj më parë, një 19-vjeçare nga Venezuela mbërriti në kryeqytetin amerikan, Uashington, me një nga 120 autobusët e nisur nga shteti i Teksasit.
Guvernatori republikan i këtij shteti, Gregg Abbott në shenjë proteste kundër politikave të imigracionit të presidentit Joe Biden vendosi që t’i dërgonte me autobus migrantët drejt Uashingtonit.
Po ashtu edhe guvernatori tjetër republikan, Doug Ducey i shtetit të Arizonës ndoqi të njëjtën rrugë. Në muajin maj, ai gjithashtu filloi të dërgonte migrantë në kryeqytetin amerikan.
Zëri i Amerikës e takoi 19-vjeçaren Rosa, që nuk është emri i saj i vërtetë, në stacionin e autobusëve në Uashington.
“Dua të punoj, të filloj të realizoj ëndrrat e mia, kjo është dëshira ime”, tregon ajo.
Udhëtimi i Rozës dhe partnerit të saj për të arritur në Shtetet e Bashkuara ishte i vështirë. Katër herë gjatë rrugës Rosa rrezikoi të humbiste fëmijën e saj.
Çifti kaloi xhunglën malore dhe të rrezikshme “Darién Gap” në Kolumbi dhe më pas nëntë vende. Tani përballen me një proces kompleks imigrimi në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk është ajo që kam menduar. Avokati kërkon 10 mijë dollarë për të punuar me ju në një çështje azili. Pastaj duhen 10 vjet që të mund të largohem nga vendi. Nuk kam pasaportë. Nëse nuk ke pasaportë këtu, je askushi”, thotë partneri i 19-vjeçares.
Ata tani jetojnë në shtetin Delauer, ndërsa Rosa është ende shtatzënë. Çifti thotë se po luftojnë me një sistem ligjor me të cilin nuk ishin të përgatitur të përballeshin.
“Po, më vjen keq që erdha në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë mendojnë se sapo të mbërrini në këtë vend, do të shihni ndërtesa si ato në qytetin e Nju Jorkut”, thotë Rosa për Zërin e Amerikës.
Oficerët e patrullës kufitare thonë se 207,416 emigrantë janë regjistruar përgjatë kufirit jugperëndimor. Një rënie prej 14 për qind nga muaji maj. Prej tyre më shumë se 92 mijë u dëbuan menjëherë nga Shtetet e Bashkuara.
“Shumica mendojnë se kjo është ëndrra amerikane. Por nëse përballesh me realitetin, kjo ëndërr nuk ia vlente”, thotë 19-vjeçarja.
Rosa dhe partneri i saj duhet të kontaktojnë çdo javë me zyrtarët e emigracionit në SHBA përmes një aplikacioni ne telefonat e tyre inteligjentë. Ata shpresojnë të aplikojnë për azil, ndërkohë që presin ardhjen në jetë të vajzës së tyre.