Shqipëri, fermerët nxiten për të kultivuar grurin

  • Raimond Kola

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, fermerët nxiten për të kultivuar grurin

Në Shqipëri fermerët po shfaqin një interes të lartë për një skemë mbështetëse të qeverisë shqiptare për kultivimin e grurit. Mbështetja me rreth 300 dollarë për hektarë dhe aplikimet në masë premtojnë në mbjelljet e vjeshtës një rritje të ndjeshme të sipërfaqeve me grurë. Vetëm në Qarkun e Gjirokastrës kjo rritje vlerësohet në mbi 30%. Shqipëria importon gjysmën e nevojave të saj me drithëra dhe në tregun vendas çmimi me të cilin fermerët shitën grurin këtë vit u dyfishua.

Ajet Kroi, një fermer nga Nepravishta, një zonë bujqësore në Luginën e Drinos në Gjirokastër, po aplikon pranë Drejtorisë së Bujqësisë për një skemë të re mbështetëse të qeverisë shqiptare për nxitjen e prodhimit të grurit.

Ajeti thotë se vitin e shkuar mbolli rreth 20 hektarë me grurë dhe këtë vit mendon ta dyfishojë sipërfaqen duke përfituar edhe nga skema e qeverisë.

“Sapo bëra aplikimin dhe në sistem u konfirmua, më pas do përgatis edhe dokumentacionin e kërkuar që të përfitoj nga skema mbështetëse. Kisha mbjellë 20 hektarë me grurë ndërsa tani në vjeshtë do të mbjell edhe 20 hektarë të tjera duke e dyfishuar sipërfaqen.”

Skema e re mbështetëse për fermerët që mbjellin grurë është rreth 300 dollarë për hektarë thotë Balil Bineri në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjirokastër.

“Është një skemë e prezantuar së fundi duke qenë se jemi në prag të mbjelljes së grurit për t`i mbështetur fermerët që kultivojnë grurë, por edhe për të nxitur, për të shtuar sipërfaqet. Ka një vlerë mbështetje prej 30 mijë lekësh (300 Usd ) për hektarë .Thjesht fermeri duhet të jetë i pajisur me niptin tatimor dhe të zotërojë dokumentin e tokës për të përfituar nga skema.“

Ministria e Bujqësisë thotë se në nivel kombëtar mbi 1000 fermerë kanë aplikuar që në ditët e para të thirrjes që mbyllet më 23 shtator për të shtuar sipërfaqet e grurit.

Vetëm në këtë rajon, thotë zoti Bineri aplikimet që tani premtojnë një rritje me 30% të mbjelljes së sipërfaqeve me grurë.

Në rajonin tonë janë mbjellë vitin e kaluar 1900 hektarë dhe parashikohet të ketë një rritje me 30 %. Ndërsa potenciali është më i lartë nëse do jenë këto çmimet të shitjes së grurit dhe misrit dhe do vijojë edhe mbështetja shtetërore për fermerët".

Ajeti që merret prej 10 vitesh kryesisht me prodhimin e drithërave për t`i tregëtuar ndërsa babai i tij merret prej 30 vitesh me bujqësi thotë se çmimi i shitjes së grurit u rrit këtë vit, ndonëse edhe kostot e prodhimit ishin të larta prej cmimit të lartë të plehrave kimikë.

Në cdo blerje që kemi bërë tek plehrat ishte 100 -120 % më shtrenjtë se viti kaluar. Ndërsa çmimi i grurit ishte dy herë më i shtrenjtë. Nëse vitin e kaluar e kemi shitur grurin me 300 mijë lekë për ton, këtë vit e kemi shitur me 450 mijë lekë për ton".

Fermeri nga Nepravishta thotë se mundësitë e rritjes së kultivimit të grurit dhe misrit janë të mëdha pasi shumë toka janë të lira.

Sipas të dhënave të Ministrisë shqiptare të Bujqësisë prodhimi i drithërave në vitin 2021 në Shqipëri shënoi një rritje me 1,04 %, krahasuar me vitin 2020.

Shqipëria prodhoi në vitin 2021 rreth 691.353 tonë drithëra që plotësojnë gati gjysmën e nevojave të saj ndërsa pjesa tjetër importohet.

Rritja e lehtë e prodhimit të drithrave gjatë vitit 2021 lidhet me fillimin e një tendence të fermerëve shqiptarë për të kultivuar grurë pas rritjes së çmimit në tregun ndërkombëtar si të grurit dhe të miellit.

Ky vit e ka shtuar edhe më shumë interesin për kultivimin e grurit pas fillimit të Luftës në Ukrainë në muajin shkurt, por rritja e kostove për kultivim i ka përballur fermerët me mjaft sfida.

Specialistët e bujqësisë në Shqipëri thonë se kushtet për rritjen e sipërfaqeve të kultivimit sidomos me grurë dhe misër janë mjaft të favorshme në disa zona të vendit dhe për fermerët është e rëndësishme cdo mbështetje që ofrohet nga shteti.