Një gjykatë në Prishtinë dënoi të enjten me pesë vjet heqje lirie Svetomir Baçeviçin, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në verën e vitit 1998 në fshatin Bellopojë të komunës së Pejës, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.
Gjykata e shpalli atë fajtor nën akuzën e ngritur në nëntor të vitit të kaluar sipas së cilës Svetomir Baçeviç, “kishte shkuar në shtëpinë e fqinjëve të tij Rexhep dhe Tigjë Kadrija, që të dy të moshës rreth 60 vjeç, dhe i kishte keqtrajtuar ata fizikisht e psiqikisht”. Në aktakuzë thuhet se Baceviç nën kërcënimin e armës e kishte rrëmbyer të dëmtuarën Tigjë duke e nxjerrë në rrugë, kurse të dëmtuarit Rexhep i kishte thënë se po e dërgonte gruan e tij në shtab të ushtrisë dhe policisë serbe, duke e paralajmëruar se do ta kthente atë vetëm pasi Rexhepi do t’i dorëzonte pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Me ndërmjetësimin e fqinjit të së dëmtuarës, Momçilo Saviç, thuhet në aktakuzë, asaj i mundësohet të kthehet në shtëpi dhe bashkë me të dëmtuarin tjetër, Rexhepin, largohen nga fshati për në qytetin e Pejës.
Svetomir Baçevic jetonte në Gornji Milanovac në Serbi që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, e kishte cilësuar arrestimin pjesë të një “fushate të frikësimit të serbëve në Kosovë”.
Fondi për të Drejtën Humanitare, nëpërmjet një komunikate tha se gjykimi i Svetomir Baçeviçit “ka qenë i drejtë dhe janë respektuar të drejtat e palëve në procedurë”.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur, për fatin e një mijë e 618 prej të cilëve ende nuk dihet asgjë. Ndërkaq sipas raporteve të Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga përfundimi i luftës nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtar janë dënuar gjithsej 70 persona për krime lufte, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.