Vuçiç: Në asnjë mënyrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha të martën se Serbia në asnjë mënyrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës siç tha të shpallur në mënyrë të njëanshme.

Ai i bëri këto komente në parlamentin e Serbisë, i cili në mbledhjen e parë të përbërjes së re debatoi lidhur me procesin e bisedimeve me Kosovën.

“Republika e Serbisë as në mënyrë të tërthortë dhe as drejtpërdrejt nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, as nuk do të heqë dorë nga lufta e saj e ligjshme për interesat shtetërore dhe kombëtare, por edhe nga lufta për respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, tha ai gjatë fjalimit në parlament.

Presidenti serb tha se ngjarjet në Ukrainë e kanë vështirësuar pozitën e Serbisë kundruall dialogut. Ai tha se politika e Serbisë për çështjen e Kosovës udhëhiqet mes asaj që është e dëshiruar dhe e mundshme, “me faktin se populli ka dëshira maksimaliste, ndërsa mundësitë tona janë të pakta”, tha ai duke nënvizuar se kriza e dialogut është një problem sistematik.

Ai tha se bota perëndimore nuk dëshiron të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Ata as nuk duan të na dëgjojnë. Kjo është e kaluara dhe ata thonë se gjërat në terren e kanë ndryshuar rezolutën 1244. Dhe së dyti, nuk iu intereson për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe se nuk duan të bëjnë asnjë lloj trysnie ndaj Prishtinës”, tha presidenti serb Vuçiç.

Ai tha se situata në terren është vështirësuar për qytetarët serb që prej ardhjes në pushtet të Albin Kurtit dhe se është vërejtur një shtim i forcave të sigurisë sëPrishtinës në veriun e Kosovës.

Presidenti serb ditë më parë tha se diplomatët perëndimorë kanë propozuar një "kuadër të ri" të bisedimeve me Kosovën dhe kanë shtuar trysninë ndaj Serbisë për qasjen e saj ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Tre diplomatët evropianë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këto bisedime, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, qëndruan javën e kaluar në Prishtinë dhe Beograd në një përpjekje për të nxitur përparim në procesin e bisedimeve.

Tensionet e fundit rreth dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik dhe thirrje për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Me 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pas tensioneve që pasuan vendimin e qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës. Një masë e tillë është zbatuar nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi gjatë 11 viteve të fundit.

Më një shtator ka filluar të rrjedh afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.

Bashkimi Evropian shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës se vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga Moska dhe Pekini.