Përveç luftimeve në vijën e parë të frontit, ukrainasit janë të angazhuar edhe në frontin e betejës ekonomike. Bizneset po përpiqen të mbijetojnë dhe me pak ndihmë shumë prej tyre ia dalin me sukses.
Your browser doesn’t support HTML5
Nxitja e bizneseve ukrainase në internet
Në Ukrainë, lufta po zhvillohet jo vetëm në vijën e frontit, por edhe në sferën ekonomike, ku bizneset po luftojnë për të mbijetuar.
Pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, organizata jofitimprurëse
“Spend with Ukraine” ("Shpenzo me Ukrainën") u krijua për të mbështetur mallrat dhe shërbimet ukrainase në të gjithë botën.
“Ne përqendrohemi në kompanitë që krijojnë mallra dhe ofrojnë shërbime për konsumatorët individualë. Pra, nuk kemi asnjë kompani bujqësore në faqen tonë të internetit, apo prodhues të pajisjeve metalike. Por, aty mund të gjeni kompani që prodhojnë pajisje elektronike ose ato të makinave”, thotë Yaroslav Azhnyuk nga organizata Spend with Ukraine.
Andy Hunder, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Ukrainë thotë se bizneset lokale kanë demonstruar se mund të mbijetojnë, edhe në kohë lufte.
“Ukrainasit kanë demonstruar se janë të fortë dhe kjo është vënë re nga bota. Sistemi bankar funksionon. Interneti funksionon në Kievin e goditur nga lufta më mirë se në disa qytete të tjera evropiane; funksionojnë edhe rrjeti celular dhe kompanitë e ashensorëve”, thotë Andy Hunder nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Ukrainë.
Për momentin, mbi 190 kompani ukrainase janë të përfaqësuara në faqen e internetit të organizatës jofitimprurëse.
Në mesin e tyre ka edhe kompani teknologjike si “Clean My Mac”.
Në kategorinë e arsimit, ka aplikacione ukrainase të mësimit të gjuhëve të huaja. Preply është një nga aplikacionet e tilla më të njohura.
“Qindra mijëra nxënës përdorin platformën tonë për të mësuar një gjuhë të huaj”, thotë Dmytro Voloshyn nga aplikacioni Preply.com.
Një tjetër kompani e njohur globalisht është “Reespeacher”, e cila merret me krijimin e zërave artificialë.
“Ne kemi krijuar teknologji që lejon një person të flasë me zërin e një personi tjetër, një zë krejtësisht të ndryshëm. Në serialin ‘Mandalorian’, ne krijuam zërin e Luke Skywalker”, thotë Alex Serdiuk nga kompania “Reespeacher”.
Përfaqësuesit e kompanisë thonë se platforma "Spend with Ukraine" po u sjell klientë të rinj.
Kompania ukrainase e prodhimit të rrobave, “Etnodim” ka vënë re një efekt të ngjashëm.
“Me fillimin e luftës, pasi u themelua platforma “Spend with Ukraine”, ne ishim ndër kompanitë e para që u përfaqësuam atje. Klikimet në faqen tonë të internetit janë rritur në mënyrë dramatike, ne kemi klientë të rinj”, thotë Andriy Cherukha nga kompania “Etnodim”.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy veshi një bluzë kombëtare të prodhuar nga kompania “Etnodim”. Që atëherë, kërkesat për rrobat e kompanisë “Etnodim” janë rritur aq shumë saqë kompania mezi po i përballon ato.
Zoti Hunder thotë se kompanitë amerikane duhet të përgatiten të investojnë në bizneset ukrainase.
“Shikoni çfarë po bëjnë ukrainasit, sa të fortë që janë në kohë lufte! Imagjinoni se si do të jetë klima e biznesit në Ukrainë pas përfundimit të luftës!”, thotë Andy Hunder nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Ukrainë.
Organizata “Spend with Ukraine” shpreson të krijojë lidhje me më shumë partnerë ndërkombëtarë për të promovuar mallrat ukrainase në mbarë botën.