Vritet gruaja shtatzënë në oborrin e spitaleve të Prishtinës

Ilustrim

Policia e Kosovës tha se një grua 35 vjeçare është vrarë të mërkurën në mbrëmje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.

Policia tha se bashkë me prokurorinë po kryejnë hetime për të ndriçuar rrethanet dhe motive e mundshme të vrasjes dhe nuk tha nëse ka të arrestuar lidhur me rastin.

Mediet lokale thanë se gruaja është qëlluar dhe vrarë me armë zjarri nga ish burri i saj.

Vrasja e së mërkurës nxiti reagime në shkallë të gjerë.

“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë”, shkroi në rrjetet sociale, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke thekuar se rastet e tilla janë sprovë jo vetëm për shtetin por edhe shoqërinë.

“Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal. Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”, shkroi ajo.

Të papranueshme dhe të padurueshme, e cilësoi këtë vrasje kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Vrasja u dënua me fjalët më të ashpra edhe nga udhëheqës partish politike, ndërsa Rrjeti i Grupeve të Grave paralajmëroi protesta për të enjten në Prishtinë.

Kjo është vrasja e dytë e grave në një javë në Kosovë. Më 25 nëntor një burrë vrau gruan e tij në Prishtinë.

Të dyja vrasjet ndodhën ndërsa në Kosovë po mbahet një fushatë 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”.

Lexoni edhe këtë Ndalohet një i dyshuar për vrasjen e gruas së tij në Prishtinë

Policia e Kosovës tha se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar dy mijë e 273 raste të dhunës në familje.