Raporti i Gjykatës së Lartë nuk e identifikon burimin e rrjedhjes së projekt-vendimit për abortin

Gjykata e Lartë amerikane publikoi të enjten një raport mbi rrjedhjen në maj të vitit 2022, të një versioni paraprak të vendimit të saj, që çoi më pas në përmbysjen e një vendimi historik, të vitit 1973, të quajtur Roe kundër Wade, i cili legalizonte abortin në mbarë vendin. Por raporti nuk identifikonte fajtorin për nxjerrjen e informacionit, që tronditi organin më të lartë gjyqësor të vendit.

Rrjedhja e projekt-vendimit në gazetën ‘Politico’ e cila publikoi atë më 2 maj, shkaktoi një krizë të brendshme në gjykatë dhe ndezi një stuhi politike, me mbështetësit e të drejtave të abortit që organizuan tubime jashtë gjykatës, e në qytete të ndryshme rreth e qark Shteteve të Bashkuara.

Ky zhvillim u pa si një shkelje e paprecedentë e traditës së ruajtjes së konfidencialitetit të gjykatës prej nëntë anëtarësh, në procesin e marrjes së vendimeve.

Në raport nuk identifikohej asnjë burim specifik nga rrodhi informacioni, gjë që përbënte një shkelje të jashtëzakonshme të protokollit të gjykatës. Por në raport thuhet se: "pavarësisht nëse ndonjë person identifikohet ose jo, si burim i rrjedhjes së projekt-vendimit në media, gjykata duhet të ndërmarrë veprime për të krijuar dhe zbatuar politika më të mira lidhur me trajtimin e informacionit të ndjeshëm dhe për të patur sisteme më të mira, e të sigurta, që lidhen me teknologjinë e informacionit”.

Hetimi për rrjedhjet e projekt-vendimit u krye në një kohë vëmendjeje të shtuar ndaj gjykatës e ndërsa sondazhet e opinionit publik tregojnë një rënie të besimit ndaj saj. Vetëm 43% e amerikanëve ruajnë pikëpamje të favorshme për gjykatën, nga 50% që llogaritej në maj të vitit të kaluar, kjo sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania Ipsos, prej dates 13 deri 15 janar.