Blinken homologut kinez: Shkelja e hapësirës ajrore amerikane e papranueshme

United States Secretary of State Antony Blinken attends the Munich Security Conference in Munich, Feb. 18, 2023.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me kryediplomatin e Kinës në kontaktin e parë të nivelit të lartë midis dy vendeve që kur Shtetet e Bashkuara rrëzuan një balonë spiune kineze dy javë më parë.

Bisedimet një orëshe midis Sekretari Blinken dhe ministrit të jashtëm kinez Wang Yi u zhvilluan në Munih, ku ata po marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare të sigurisë. Departamenti i Shtetit tha se Sekretari Blinken i ka thënë zotit Wang se Shtete e Bashkuara nuk do të pranonin kurrë shkeljen e integritetit territorial dhe ai theksoi se Kina ishte kapur duke spiunuar.

“Ia bëra të qartë se Kina ka dërguar një balonë spiunazhi në territorin e Shteteve të Bashkuara, duke shkelur sovranitetin e vendit tonë dhe ligjet ndërkombëtare. Ky ishte një veprim i papranueshëm që nuk duhet të përsëritet kurrë”, tha zoti Blinken në një intervistë për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS.

Në takimin me kryediplomatin kinez zoti Blinken përsëriti mesazhin e Presidentit Biden se Shtetet e Bashkuar nuk po kërkojnë konflikt me Kinën, por do të këmbëngulin në respektimin e vlerave dhe interesave të tyre.

Incidenti me balonën kineze të përgjimit, që ndezi edhe më shumë tensionet mes dy vendeve, u bë gjithashtu shkak për anulimin e një vizite të planifikuar në Kinë të sekretarit Blinken.