Votimet për zgjedhjet vendore në Qarkun e Gjirokastrës 

  • Raimond Kola

Your browser doesn’t support HTML5

Votimet për zgjedhjet vendore në Qarkun e Gjirokastrës

Procesi zgjedhor në Qarkun e Gjirokastrës që përfshin 7 bashki vijoi normalisht me një pjesëmarrje të ulët në votime. Ndryshe nga herët e tjera në këto zgjedhje vendore u vu re edhe një kthim mjaft i ulët i emigrantëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Në disa prej rreth 200 qendrave të votimit janë shënuar vonesa dhe probleme teknike ndërsa policia ka njoftuar për disa ndalime që lidhen me ecurinë e procesit zgjedhor.

Në një ditë të ngarkuar me shi në Qarkun e Gjirokastrës që përfshin 7 bashki janë thirrur për të votuar rreth 122800 votues por pjesëmarrja pritet të jetë e ulët për shkak të ndikimit që ka pasur migrimi në këtë rajon.

Një faktor ndikues për më pak votues pritet të jetë edhe moskthimi nga Greqia ndryshe nga zgjedhjet e tjera i emigrantëve që punojnë dhe jetojnë në vendin fqinj.

Policia e Gjirokastrës i tha Zërit të Amerikës paraditen e sotme se në harkun e 24 orëve hynë në Shqipëri rreth 4.450 persona, mes të cilëve një pjesë në interesin për të votuar, dukshëm ky ritëm më i ulët se zgjedhjet e mëparshme.

Pjesa më e madhe e migrantëve të kthyer për votime i janë drejtuar Bashkisë së Himarës dhe Sarandës.

Ndërkohë që procesi zgjedhor nisi me disa probleme teknike si mosfunksionimi i pajisjeve të identifikimit të votuesve për rreth 25 qendra votimi në nivel qarku ai u tejkalua më pas me identifikimin manual të votuesve.

Policia tha gjatë paradites se ka ndaluar në Këlcyrë dy shtetas, punonëjs të Zyrës së Ndihmës Ekonomike, për te cilët kishte një denoncim se i kishin ofruar një vend pune në këmbim të votes një qytetari.

Pas një denoncimi per fotografim të votës policia e Sarandës tha se ndaloi në fshatin Xarrë bashkëshortin dhe heton në ngjendje të lirë gruan “për shkelje të fshehtësisë së votës”.

Policia e Sarandës tha se pezulloi edhe një inspektori të policisë në Konispol dhe nisi nje hetim disiplinor ndaj tij pas publikimit të një fotografie të makinës policore që ai drejtonte në një portal mediatik vendor ku pretendohej se po u bënte presion në lidhje me fushatën zgjedhore.

Në bashkinë e Gjirokastrës kandidati i socialistëve eshte Flamur Golemi që drejton aktualisht bashkinë ndërsa për koalicionin “Bashkë fitojmë “ garon Dorian Lani

Të dy kandidatët shprehën sot për gazetaret mesazhet pas votimit:

Flamur Golemi tha se “u bënte thirrje gjithë qytetarëve të Gjirokastrës të shprehin vullnetin e tyre në kutitë e votimit. Të vazhdojmë të gjithë së bashku ta bëjmë këtë qytet alternativë të parë për gjithë të rinjtë dhe të rejat”, tha Golemi.

Ndërsa kandidati Dorial Lani tha se sapo kishte kryer detyrën si qytetar i bashkisë së Gjirokastrës.

“Marr shkas nga këto ditë që do të vendosin të ardhmen e Gjriokastrës u bëj thirrje gjthë qyetarve të Gjirokastrës të votonin masivisht për të ardhmen e qytetit, të ardhmen tyre dhe të fëmijëve të tyre “, tha Lani.

Socialistët garojnë në Qarkun e Gjirokastrës që përfshin Bashkinë Gjirokastër, Memaliaj, Tepelenë, Përmet, Kelcyrë dhe Dropull, 6 kryetarët aktualë, ndërsa vetëm në bashkinë Libohovë e kanë ndryshuar kandidatin.

Analistët vlerësojnë një garë të fortë atje ku paraqiten tre kandidatë si në bashkinë e Dropullit ku garon krahas kandidatit të Partisë Socialiste dhe kantidatit te koalicionit “Bashkë Fitojmë” edhe një kandidat i “Nisma Thurje” , por rivalitet ka edhe në bashkitë e vogla si në bashkinë e Libohovë, Këlcyrë dhe Memaliaj.