Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të mërkurën ligjin për rritjen e tavanit të borxhit federal me më pak se një javë të mbetur përpara se qeveria të mos ketë mundësi për të paguar faturat e saj.
Presidenti Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy po punojnë për të siguruar mbështetje për kompromisin, që përfshin edhe shkurtimet buxhetore të kërkuara nga republikanët.
Me republikanët që mbajnë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët, që mbajnë një shumicë të ngushtë në Senat dhe grupet ekstreme të të dyja partive, të pakënaqur me kushtet e marrëveshjes, nuk është e sigurt se do të ketë mbështetje të mjaftueshme për miratimin e projektligjit.
Komisioni i Rregullave të Dhomës së Përfaqësuesve dha miratimin e tij të martën në një votim 7-6 që tregoi një pjesë të kësaj pakënaqësie, pasi dy republikanë votuan kundër projekt-ligjit.
Sekretarja e Thesarit Janet Yellen paralajmëroi javën e kaluar se Kongresi duhet të rrisë kufirin e borxhit deri më 5 qershor, ose përndryshe qeveria nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj financiare. Ajo tha se edhe pritja deri në minutën e fundit mund të dëmtojë seriozisht besimin e biznesit dhe të konsumatorëve dhe të ndikojë negativisht në vlerësimin e kreditit të vendit.
Projekt-ligji përfshin heqjen e kufirit ekzistues të huamarrjes deri në janar të vitit 2025 dhe një marrëveshje buxhetore dyvjeçare, që i mban shpenzimet federale të pandryshuara në vitin 2024 dhe i rrit ato me 1% në vitin 2025.
Pjesë të tjera përfshijnë një pakësim të numrit të agjentëve të rinj që do të punësojë agjencia e grumbullimit të taksave, një kërkesë që shtetet të kthejnë 30 miliardë dollarë ndihma të pashpenzuara të marra për pandeminë e koronavirusit nga qeveria federale dhe rritjen nga 50 në 54 vjeç, për grupmoshat që duhet të punojnë, që të kualifikohen për ndihma ushqimore.
Disa ligjvënës liberalë demokratë e kanë kundërshtuar marrëveshjen, duke thënë se ajo shkurton shumë shpenzimet e mirëqenies sociale, ndërsa republikanët konservatorë kanë thënë se ajo i shkurton shumë pak shpenzimet buxhetore.