Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Serbisë të shtunën për të pestën herë në një muaj, pas dy vrasjeve në masë që tronditën kombin, ndonëse presidenti populist i vendit hodhi poshtë çdo përgjegjësi për krizën dhe injoroi kërkesat e protestuesve për të dhënë dorëheqjen.
Turma, duke brohoritur parulla kundër presidentit Aleksandër Vuçiç, parakaloi rrugëve të Beogradit, për t'u mbledhur para selisë së tij në qendër të qytetit. Ata lëshuan një tullumbace të madhe me mbishkrimin "Vuçiç ik".
Studentët e universitetit udhëhoqën parakalimin, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej "Serbia kundër dhunës!"
Protestuesit e opozitës kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe heqjen e licencave të transmetimit për rrjetet televizive të cilat, thonë ata, promovojnë dhunën dhe lavdërojnë figurat e krimit.
Protesta e së shtunës, që ka të ngjarë të jetë më e madhja deri tani, ishte disi ndryshe nga ato të mëparshmet. Gazetarët e pavarur që mbulonin parakalimin panë grupe të krahut të djathtë të infiltruar për të promovuar agjendën e tyre nacionaliste.
Analistët thonë se disa nga këto grupe kanë lidhje të ngushta me shërbimin serb të sigurimit.
Pati raportime për mbështetës të ultranacionalistëve që sulmuan një gazetar të huaj me shkop. Disa nga sulmuesit kishin bluza me mbishkrimin rus Z, një simbol i agresionit rus në Ukrainë.
Ndërsa po binte muzgu, pjesëmarrësit ndezën telefonat e tyre celularë, duke i mbajtur lart teksa parakalonin nëpër një rrugë qendrore të Beogradit dhe rreth ndërtesës së presidencës, shumë prej tyre duke fishkëllyer dhe duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Vuçiç.
Protestuesit lanë qindra mesazhe në pusulla për presidentin Vuçiç, shumë prej tyre duke i bërë thirrje atij të jepte dorëheqjen.
Një protestë e re është planifikuar për javën e ardhshme, në atë që po bëhet një sfidë gjithnjë e më serioze për Vuçiçin, ndoshta më e madhja me të cilën ai është përballur që nga ardhja në pushtet 11 vjet më parë.
Opozita e ka akuzuar Vuçiçin për nxitje të jotolerancës dhe gjuhës së urrejtjes gjatë qeverisjes së tij gjithnjë e më autokratike, ndërsa ka marrë në mënyrë të paligjshme kontrollin mbi të gjitha institucionet shtetërore. Presidenti Vuçiç e ka mohuar këtë, duke pretenduar se grupet opozitare duan rrëzimin e tij me forcë.
“Ata vetëm duhet ta dinë se gjallë a i vdekur, duke përfshirë fëmijët e mi, unë do të luftoj kundër atyre që mbështesin dhunën”, tha Vuçiç në një stacion televiziv pro-qeveritar. "Ata nuk do të më trembin kurrë".
Dy vrasjet në masë me 3 dhe 4 maj tronditën vendin, veçanërisht sulmi i parë që ndodhi në një shkollë fillore në qendër të Beogradit, kur një djalë 13-vjeçar mori armën e babait të tij dhe hapi zjarr ndaj shokëve të tij. Tetë nxënës dhe një roje shkolle u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën. Një vajzë tjetër vdiq më vonë në spital nga plagët në kokë.
Një ditë më vonë, një 20-vjeçar përdori një armë automatike për të qëlluar mbi njerëzit në dy fshatra në jug të Beogradit, duke vrarë tetë persona dhe duke plagosur 14 të tjerë.
Aktori i njohur serb Dragan Bjelogërliç i tha turmës se "kemi një borxh" ndaj fëmijëve të vdekur.
“Ne u detyrohemi atyre të vërtetën dhe drejtësinë”, tha ai. “Ne u kemi borxh atyre atë që nuk ua dhamë sa ishin gjallë”.
Autoritetet kanë nisur mbledhjen e armëve pas sulmeve dhe kanë dërguar policinë në shkolla në një përpjekje për të rritur një ndjenjë sigurie.
Serbia është e mbushur me armë të mbetura nga luftërat e viteve të 90-ta përfshirë raketahedhës dhe granata dore. Masat e tjera të kontrollit të armëve të deklaruara pas sulmeve përfshijnë kontrolle më të forta mbi pronarët e armëve dhe poligonet e qitjes, një moratorium për licencat e reja dhe dënime të ashpra për posedim të armëve të paligjshme.