Komuniteti serb feston 634 vjetorin e Betejës së Kosovës

Patrijarh SPC Porfirije u manastiru Gračanica, 28. jun 2023.

Grupe pjesëtarësh të komunitetit serb u mblodhën sot në Graçanicë afër Prishtinës për të kremtuar Vidovdanin siç e quajnë serbët ditën e Shën Vitos, përkatësisht 634 vjetorin e Betejës së Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

Komuniteti serb feston 634 vjetorin e Betejës së Kosovës

Në ditën e sotme të vitit 1389 ushtritë e Ballkanit u mundën në betejë me ushtritë e Perandorisë Osmane me çka filloi edhe sundimi 500 vjeçar osman në Evropën Juglindore. Serbët e kremtojnë këtë si ditë të fitores së tyre shpirtërore dhe dëshmi të pranisë së tyre në Kosovë.

Në vitin 1989 në përvjetorin e betejës së Kosovës ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç shpalli siç thuhej bashkimin e Serbisë me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Tridhjetë e katër vjet pas asaj dite Kosova ka hyrë në vitin e 16 të pavarësisë së saj të njohur nga më shumë se 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian. Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia e cila mbështetet në përkrahjen ruse.

Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirije tha në liturgjinë e mbajtur në Manastirin e Graçanicës se Kosova është shtëpia e serbëve.

“Ne kemi ardhur të lutemi me ju, të përulemi para forcës suaj dhe vendimit tuaj për të ruajtur vendet tona të shenjta këtu në Kosovë, nuk do të ishte e mundur nëse nuk do të kishte besim në shpirtrat tuaj”, tha ai duke u lutur për siç tha paqe për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Kisha Ortodokse serbe vendosi që kremtimet për Vidovdanin këtë vit të zhvillohen në komunën e Graçanicës dhe jo në Gazimestan afër Prishtinës ku mbahet çdo vjet për shkak të siç thanë situatës së sigurisë dhe tensioneve të larta kohëve të fundit në Kosovë.

Tensionet në Kosovë vazhdojnë të mbetën të larta që nga fundi i muajit të kaluar kur autoritetet nisën të zbatojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen nëpër zyra komunale të kryetarëve shqiptarë.

Diplomatët perëndimor po i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe t’i hapin rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Nga Kosova kërkohet pezullimi i operacioneve policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Nga Serbia ndërkaq të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës.

Asnjëra palë nuk ka dhënë shenja gatishmërie për të lëshuar pe dhe Bashkimi Evropian paralajmëroi masa ndëshkuese për Kosovën.

Drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për zgjerim, Gert Jan Koopman, tha të martën gjatë një debati në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian se masat janë rrjedhojë e mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Pezullimi i të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, pezullimi i financimit të programeve të Bashkimit Evropian, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike, janë disa nga masat ndëshkuese për Kosovën që pritet të shpallen gjatë javës nga Bashkimi Evropian.