Kosovë: Tre të akuzuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të premten aktakuzë ndaj tre personave për sulm ndaj gazetarit Valon Syla, drejtor i portalit ‘Gazeta Metro’ në Prishtinë.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se “ekziston dyshimi i bazuar mirë” se të akuzuarit “të motivuar me ideologji ekstreme radikale Islame përkatësisht të besimit fetar, e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, gazetarit, Valon Syla”.

Lexoni edhe këtë

Arrestohen të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla

Gazetari Syla u sulmua në muajin prill të këtij viti pak pas pjesëmarrjes në një debat televiziv. Ai tha se sulmi sipas të gjitha gjasave ka të bëjë me disa reagime të tij rreth ngjarjeve në Bashkësinë Islame të Kosovës, të cilat sipas tij “kanë nxitur komunitetin e militantëve islamik të organizojnë sulm fizik të paramenduar”.

Sulmi u dënua gjerësisht nga shoqatat vendase e ndërkombëtare të gazetarëve por edhe përfaqësuesit e institucioneve e partive politike në Kosovë.