Gallaudet, një universitet privat për individët që kanë mangësi apo vështirësi të dëgjimit po përgatitet të shënojë 160 vjetorin në vitin 2024. Me këtë rast, korrespodenti i Zërit të Amerikës, Maxim Adams vizitoi Muzeun e këtij universiteti, që pasqyron kulturën dhe trashëgiminë e individëve që nuk dëgjojnë fare apo kanë vështirësi të dëgjojnë.
Your browser doesn’t support HTML5
Një muze në Uashington pasqyron përvojën e individëve që nuk dëgjojnë
Vizitorët e muzeut mund të shohin një sërë punimesh arti, shkrime, artikuj, fotografi dhe objekte të së përditshmes që pasqyrojnë kulturën dhe trashëgiminë e dekadave të tëra, të individëve që nuk dëgjojnë apo kanë vështirësi të të dëgjuarit.
“Misioni ynë është të përcjellim jetën e këtij komuniteti, kulturën dhe gjuhën e tyre. Dhe t’ia përcjellim këtë informacion si atyre që nuk dëgjojnë dhe atyre që dëgjojnë”, thotë Meredith Peruzzi, drejtore e muzeut.
Muzeu gjendet në kampusin e universitetit “Gallaudet”, i themeluar në vitin 1864 në Uashington. Mësimi kryhet në gjuhën amerikane të shenjave, ose ASL, si edhe në anglisht.
Një prej koleksioneve më të mëdha të muzeut i dedikohet historisë së universitetit “Gallaudet”.
Muzeu ka dhe punime me të cilat personat që janë të verbër, apo të verbër dhe të shurdhër, mund të ndërveprojnë.
Një nga punimet më të njohura është ai që mishëron gjestet e duarve, që përdoren për të komunikuar nga ata që nuk dëgjojnë. Drejtorja e muzeut, zonja Peruzzi na tregon një zile unike.
“Përpara se të kishte energji elektrike, dritë, zile, duhet të kishte një mënyrë për të trokitur, për të njoftuar se dikush kishte ardhur për vizitë. Asokohe, kishte një zile krejt të veçantë, që në vend që të krijonte zhurmë, krijonte një dridhje të fortë”, thotë Meredith Peruzzi, drejtore e muzeut.
Pandemia e COVID-19 e bëri sfiduese jetën e personave që nuk dëgjojnë. Për shembull, përdorimi i gjerë i maskave në fytyrë, e bëri të pamundur leximin e buzëve.
Zonja Peruzzi thotë se platformat si Zoom dhe Skype, e bënë më të vështirë përdorimin e gjuhës së shenjave për të komunikuar.
“Ishte një përvojë ndyshe për këtë komunitet dhe si historianë ne kuptuam se ishte e ngjashme me pandeminë e gripit në 1918”, thotë Meredith Peruzzi, drejtore e muzeut.
Aktualisht, ka më shumë se 1500 studentë në universitetin “Gallaudet”.
Presidenti Abraham Lincoln firmosi ligjin që i hapi udhë universitetit, afro 160 vjet më parë.