SHBA angazhohet në krizën Izrael-Hamas ndërsa Kina dhe Rusia forcojnë lidhjet  

  • Cindy Sain

President Joe Biden speaks during a news conference in the Rose Garden of the White House in Washington, Oct. 25, 2023.

Presidenti Joe Biden u kthye në Shtetet e Bashkuara nga Lindja e Mesme, pa u takuar me udhëheqësit palestinezë apo arabë, pavarësisht ecejakeve diplomatike disa ditore nga një vend tek tjetri të Sekretarit te Shtetit Antony Blinken. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine përpjekjet e Uashingtonit për të parandaluar një luftë më të gjerë, po bëhet më të ndërlikuara, në kushtet kur konflikti mes Izraelit dhe Hamasit po intensifikohet e ndërsa rajoni po vlon, pas shpërthimin në një spital në Gazë.

Presidenti Joe Biden u prit ngrohtësisht nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të mërkurën, një vizitë e rëndësishme gjatë luftës, dëshmi e solidaritetit të Shteteve të Bashkuara me Izraelin, pas sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit.

Por shpërthimi në një spital të Gazës, që vrau disa qindra palestinezë të martën në mbrëmje, bëri që Presidenti palestinez Mahmud Abbas, si dhe Mbreti i Jordanisë Abdullah, të anulonin takimet e tyre të planifikuara me Presidentin Biden. Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi mohojnë se janë përgjegjës për ngjarjen

Në Izrael, Presidenti Biden arriti të bindë zotin Netanyahun që të lejojë futjen e ndihmës humanitare ndërkombëtare në Gazë, banorët e së cilës kanë nevojë të dëshpëruar për ushqime, ujë dhe karburant.

"Izraeli ra dakord që ndihma humanitare të fillojë të lëvizë nga Egjipti në Gazë", tha ai.

Ndërkohë në Stamboll dhe në shumë qytete të tjera anembanë botës janë zhvilluar protesta në mbështetje të palestinezëve dhe kundër sulmeve izraelite në Gazë. Disa protestues shprehën gjithashtu zemërim e tyre ndaj mbështetjes që Shtetet të Bashkuara i kanë dhënë Izraelit.

Ndërsa Sekretari Blinken dhe Presidenti Biden po vizitonin Lindjen e Mesme, Presidenti rus Vladimir Putin u prit në Pekin nga udhëheqësi kinez Xi Jinping.

Duke iu drejtuar konfliktit Izrael-Hamas, zoti Putin tha se numri në rritje i konflikteve botërore forcon lidhjet mes Moskës dhe Pekinit. Rusia dhe Kina kanë refuzuar të dënojnë sulmet e Hamasit ndaj civilëve izraelitë.

Sipas ekspertit Michael Kimmage të Universitetit Katolik në Uashington kriza ka treguar se Shtetet e Bashkuara janë tashmë superfuqia e vetme në Lindjen e Mesme.

“Është e vetmja superfuqi që ka kapital të vërtet ushtarak dhe nuk bëhet fjalë vetëm për mjetet ushtarake, që do t'i japë Izraelit për konfliktin. Janë dy aeroplanmbajtëse në Mesdheun lindor. Janë marrëdhëniet e sigurisë me Jordaninë, Egjiptin,Arabinë Saudite me vendet përreth dhe është tërësia e kapacitetit diplomatik për të kryer ato lloj bisedimesh dhe aktivitetesh, që kemi parë te përfshihet Sekretari Blinken dhe presidenti”.

Rusia dhe Kina po punojnë së bashku për të ndryshuar rendin global të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, tha për Zërin e Amerikës ish-Zëvendës Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Matthew Pottinger.

“Pritja që presidenti Xi i bëri Vladimir Putinin në Pekin është vazhdimësi e këtij partneriteti të thelluar, në përpjekje për të nxitur kaos në Evropë, për të nxitur kaos në Lindjen e Mesme, për të provuar e nxitur kaos në oborrin e Kinës”, thotë ai.

Por një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës se ndryshe nga Rusia, interesat e Kinës në Lindjen e Mesme mund të jenë më shumë në përputhje me ato amerikane.

“Mendoj se interesi i Kinës në Lindjen e Mesme nuk është për më shumë luftë dhe destabilitet, sepse ata janë edhe më të varur nga burimet energjetike të rajonit”, thotë Brian Katulis, i Institutit për Lindjen e Mesme.

Zoti Katulis thotë se vendimi i udhëheqësve palestinezë dhe egjiptianë për të mos u takuar me Presidentin Biden menjëherë pas shpërthimit në spitalin e Gazës, nuk është domosdoshmërisht tregues se ata nuk janë të gatshëm të punojnë me Shtetet e Bashkuara, por se janë të ndjeshëm ndaj asaj që ndodh në vendet e tyre.