Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të martën aktakuzë ndaj një pjesëtari të komunitetit serb për krime lufte kundër popullatës civile.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D.M. ish gardian i burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve…në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme”.
Po ashtu, ai akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
I akuzuari, të cilin mediet serbe e identifikuan si Dragisha Milenkoviç, ishte arrestuar në qershor të këtij viti në Graçanicë afër Prishtinës, duke nxitur reagime dhe protesta në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.
Lexoni edhe këtë Kosovë, protesta në Graçanicë pas arrestimit të një serbi nën dyshimet për krime lufteProkuroria e Posaçme e Kosovës tha me 8 dhjetor se që nga marrja e përgjegjësisë për ndjekjen penale të krimeve të luftës, në vitin 2016. ka ngritur 33 aktakuza për krime lufte që përfshijnë 89 persona, pjesa më e madhe të akuzuar në mungesë.
Lexoni edhe këtë Prokuroria e Posaçme: Janë ngritur 33 aktakuza për krime të luftës në KosovëSipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, deri tash nga institucionet vendëse e ndërkombëtare për krime lufte janë dënuar mbi 70 persona.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.
Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.