Të mërkurën u hapën korridoret ajrore për fluturime komerciale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, pas një procesi të gjatë diskutimesh të drejtuara nga NATO-ja e cila ka përgjegjësinë për sigurinë ajrore mbi Kosovën. Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të saj, ishte arritur në vitin 2020.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë një ceremonie me rastin e hapjes së korridoreve se ky është një hap që e çon Kosovën më afër normalizimit të hapësirës së saj të poshtme ajrore.
“Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dioksidit të karbonit. Kjo është në përputhje me angazhimin tonë për qëndrueshmërinë mjedisore dhe me luftën globale kundër ndryshimeve klimatike”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se kjo i shkurton fluturimet e avionëve për 8 deri në 12 minuta.
Që nga përfundimi i luftës fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
NATO-ja tha në një njoftim se hapja e korridoreve të reja ajrore do të lehtësojë fluturimet për dhe nga Prishtina dhe “ky zhvillim është rezultat i përpjekjeve që janë bërë në kuadër të një procesi të drejtuar nga NATO-ja, i cili ka për synim normalizimin e aviacionit civil në Ballkanin Perëndimor”.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se hapja e rrugëve të reja ajrore për Kosovën u arrit pas një pune ekipore 15-mujore me autoritetet e Kosovës, Shqipërisë, por edhe me ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë. Sipas tij, për shkak të rrugës më të gjatë të fluturimeve, avionët kanë shpenzuar më shumë karburante duke ndotur mjedisin.
Ambasadori gjerman tha se do të vazhdojnë përpjekjet që të hapen edhe korridoret ajrore që e lidhin Kosovën me Malin e Zi.
Në prill të vitit të kaluar ish kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nënshkruan një marrëveshje për trafikun ajror, për t’i hapur rrugën përdorimit të korridoreve ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, për aviacionin civil.
Lexoni edhe këtë
Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për trafikun ajrorKryeministri Kurti shfaqi besimin se gjatë këtij viti të zbatohet hapja e korridoreve me Malin e Zi, një zhvillim shtesë në normalizimin e trafikut ajror në rajon.