Maqedoni e Veriut, Arben Taravari njofton kandidimin për president

  • Isak Ramadani

Arben Taravari duke folur në sheshin e Gostivarit (Marrë nga Facebook)

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe njëkohësisht kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari bëri të ditur të enjten se do të kandidojë për president në zgjedhjet e 24 prillit. Vetëm pak ditë më parë ai ishte shprehur se nuk ishte i interesuar të merrte pjesë në këtë garë. Zoti Taravari tha tashmë se ideja për të qenë kandidat për president i ishte propozuar para një muaji “nga miq dhe bashkëmendimtarë”, siç tha ai. Kandidatura e tij pritet të mbështetet nga partitë shqiptare të opozitës, pjesë të Lëvizjes Evropiane për Ndryshim.

I shoqëruar nga tre drejtuesit kryesorë opozitarë, zoti Taravari e bëri njoftimin në sheshin e Gostivarit. Zoti Taravari është mjek me profesion dhe tha se për lajtmotiv në garën presidenciale do të ketë betimin e Hipokratit. Ai shtoi se do të kërkojë mbështetjen e të gjitha partive shqiptare dhe se pret të fitojë edhe votat e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera në vend.

“Ka ardhur koha për një president shqiptar në Maqedoninë e Veriut, jo teknik, por president i vërtetë”, u shpreh zoti Taravari.

“Kur kam bërë betimin si mjek”, shtoi ai, “jam zotuar se në realizimin e profesionit tim nuk do të ndikojë feja, kombësia, raca, politika, apo ndarjet klasore”. Zoti Taravari theksoi se këto fjalë do të jenë thelbi i rolit të tij në detyrën udhëheqëse që një president duhet të ketë kundrejt popullit dhe shtetit.

Zotit Taravari i duhet një fushatë për mbledhjen e dhjetë mijë nënshkrimeve të votuesve, pasi ai nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 30 deputetëve për kandidaturën e tij, siç parashikohet me ligj.

Ky lajm vjen në një kohë kur partia Aleanca për Shqiptarët (ASH), në krye të cilës është zoti Taravari, po përçahet në dy fraksione. Nga tetë ligjvënësit e kësaj partie, vetëm dy përkrahin zotin Taravari.

Pjesa e Aleancës për Shqiptarët që mbështet Zijadin Selën ka thirrur kongresin e partisë në 18 shkurt, ku zoti Taravari pritet të shkarkohet nga funksioni i drejtuesit të partisë. Përplasjet në ASH u thelluan pas njoftimit në Facebook të zotit Taravari se po i bashkohej opozitës shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Ndërkohë, organet drejtuese të partisë, sipas mbështetësve të zotit Sela, planifikonin që ASH-ja të dilte e vetme në këto zgjedhje.

Sidoqoftë, asnjë kandidat shqiptar në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut nuk ka arritur ndonjëherë të kalojë në raundin e dytë. Një pjesë e analistëve vlerësojnë se kandidimi i zotit Taravari mund të jetë në bashkërendim me opozitën maqedonase që votat e shqiptarëve të mos kalojnë në favor të kandidatit të partive në pushtet dhe në mënyrë që kandidati i opozitës të ketë më shumë shanse për ta fituar garën në raundin e dytë. Zakonisht, një kandidat për president nuk e fiton garën që në raundin e parë, fitore për të cilën do të duhej të votonin mbi gjysma e mbi 1 milion e 800 mijë votuesve.

Partitë kryesore maqedonase nuk kanë shpallur emrat e kandidatëve të tyre për garën presidenciale, ndërkohë që burime brenda Lidhjes Social Demokrate flasin për mundësinë e rikandidimit të zotit Stevo Pendarovski për një mandat të dytë. Si kandidatë të tjerë të mundshëm janë përmendur edhe emrat e ish-ministrit të Rendit, Oliver Spasovski dhe të sekretarit të kësaj partie, Mile Zeçeviç.

Gjithashtu mediat e afërta me partinë kryesore të opozitës, VMRO-DPMNE, theksojnë mundësinë e daljes në garë të ligjvënëses Gordana Siljanovska, apo të zyrtarit tjetër partiak, Aleksandar Spasenovski, por partitë nuk kanë bërë komente lidhur me këto njoftime. Zonja Siljanovska ishte kandidatja e VMRO-DPMNE-së edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale, por humbi përballë zotit Pendarovski, të cilin në raundin e dytë e votoi edhe një pjesë e mirë e elektoratit shqiptar.