Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe të punojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë.
Thirrjet janë pjesë e një urimi me rastin e 16 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Shtetet e Bashkuara, thuhet në mesazhin e urimit, “vlerësojnë partneritetin tonë të qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë. Ndërsa vazhdoni të përparoni në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë shumetnike që çon përpara një rajon më të sigurt, dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë në fund”.
Sekretari Blinken shprehu besimin e Shteteve të Bashkuara se ardhmëria e Kosovës është në një Evropë dhe në institucionet euro-atlantike.
“Ne mbështesim aspiratat e shprehura në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe në kushtetutë për të “kontribuuar në qëndrueshmërinë e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit”, thuhet në mesazh.
Lexoni edhe këtë Presidenti Biden i bën thirrje Kosovës të përmbushë detyrimet që dalin nga bisedimet me SerbinëShtetet e Bashkuara, shkroi sekretari Blinken, mirëpresin mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe janë mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim.
“Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të lulëzojnë në një botë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë”, shkroi duke e cilësuar Kosovën një partner dhe aleat.
Përvjetori i 16-të i pavarësisë e gjen Kosovën në një periudhë mospajtimesh me aleatët perëndimorë. Qeveria amerikane kritikoi qeverinë e Kosovës për shkak të vendimit për të ndaluar përdorimin e dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien tha të martën në një intervistë për Zërin e Amerikës se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore. Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
Që nga viti 2011 të dyja vendet janë përfshirë në një proces bisedimesh të vështira për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për proceset integruese të të dyja palëve.