Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti njoftoi se Bujar Osmani do të jetë kandidati i kësaj partie për garën presidenciale, që do të mbahet më 24 prill.
Zoti Ahmeti tha se zoti Osmani ka dëshmuar veten në skenën vendore dhe ndërkombëtare, ndërkohë që drejtuesi i BDI-së lë të kuptohet se partia do të zhvillojë një fushatë me një retorikë për rrezikun që paraqet Rusia ndaj Maqedonisë së Veriut dhe rajonit.
“Ariu polar, Rusia po na troket në derë dhe ka ndërhyrë në të gjitha poret e shoqërisë tonë duke destabilizuar institucionet dhe duke e ndikuar skenën partiake në vend. Rusia është prezente në partitë politike në vendin tonë, në mediat tona, në shoqërinë civile, në ekonominë tonë, në infrastrukturën tonë kritike dhe në çdo segment shoqëror”, u shpreh zoti Ahmeti.
Zoti Ahmeti garën për president me shefin e diplomacisë e shikon si një referendum për zgjedhjen e presidentit nga Parlamenti në të ardhmen.
Për president do të garojë edhe Arben Taravari, kryetar i njërit fraksion të Aleancës për Shqiptarët dhe kandidat për këtë post i koalicionit të opozitës shqiptare.
Zoti Taravri ka kërkuar mbështetjen edhe të BDI-së, ndërsa shpreson se do të marrë votat edhe të votuesve të komuniteteve të tjera.
Zoti Taravari, nga ana tjetër nuk pritet të mbështetet nga krahu tjetër i partisë, i drejtuar nga Ziadin Sela. Vetëm para pak ditësh Kongresi i këtij fraksioni e shkarkoi Arben Taravarin dhe zgjodhi Ziadin Selën për kryetar të ri të ASH-së.
Por, një kandidat shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut deri më tani nuk ka arritur të kalojë në raundin e dytë.
Si pretendentë kryesorë për të fituar zgjedhjet presidenciale janë Stevo Pendarovski, i cili garon për një mandat të dytë i mbështetur nga Lidhja Social Demokrate dhe Gordana Siljanovska e VMRO-DPMNE-së. Kjo e fundit e humbi garën para pesë vjetësh përballë zotit Pendarovski, të cilin e votoi edhe një pjesë e mirë e elektoratit shqiptar.
Votat shqiptare në raundin e dytë e ndihmojnë zgjedhjen e presidentit të këtij vendi, ndërsa BDI-ja për momentin nuk shfaq ndonjë afërsi me zotin Pendarovski dhe opozita shqiptare duket më e prirur për të bashkëpunuar me VMRO-DPMNE-në.
Në garën presidenciale do të jetë edhe Biljana Vankovska e partisë me pikëpamje nacionaliste “E Majta”.