Sekretari i Shtetit Antony Blinken gjatë qëndrimit në Riad të hënën tha se do të angazhohet të bindë udhëheqësit izraelitë të bëjnë më shumë për të lejuar ndihmat humanitare në Gazë. Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të rajonit, zoti Blinken tha se mënyra më e mirë për të zbutur katastrofën humanitare në Gazë do të ishte arritja e një marrëveshjejeje armëpushimi që do të lironte pengjet që mbahen nga Hamasi. Zoti Blinken e quajti propozimin e fundit izraelit për armëpushim një propozim “jashtëzakonisht bujar”.
Your browser doesn’t support HTML5
Disa prej temave kryesore që Sekretari amerikan i Shtetit do të diskutojë gjatë qëndrimit në Lindjen e Mesme janë dërgimi i më shumë ndihmave humanitare në Gazë, arritja e një armëpushimi, normalizimi i marrëdhënive në mes të Izraelit dhe Arabisë Saudite dhe rindërtimi dhe qeverisja e territoreve palestineze pas luftës.
Sipas Sekretarit Blinken të gjitha këto tema janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, por:
“Nuk duhet pritur arritjen e një armëpushimi për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë. Presidenti Biden ka këmbëngulur që Izraeli të ndërmarrë hapa konkretë për të lehtësuar vuajtjet e civilëve dhe të shtojë sigurinë për punonjësit e organizatave humanitare në Gazë”, tha zoti Blinken në Riad ndërsa merrte pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit.
Gjatë këtij takimi, kryeministri i Katarit theksoi nevojën për zgjidhje paqësore për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve rajonale.
“Përshkallëzimi ushtarak së fundmi në rajonin e Lindjes së Mesme është jashtëzakonisht i rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Duhet bërë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve përmes mjeteve paqësore dhe diplomatike”, tha Kryeministri Al Thani.
Ndërsa merrte pjesë në një takim të posaçëm të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Riad, Sekretari Blinken i kërkoi Hamasit të pranojë propozimin e fundit të Izraelit për një armëpushim në Gazë.
“Hamasi ka përpara një propozim që është jashtëzakonisht bujar nga ana e Izraelit. Në këtë moment, e vetmja gjë që qëndron mes popullit të Gazës dhe armëpushimit është Hamasi… Shpresoj që ata do të marrin vendimin e duhur”, tha zoti Blinken.
Përgjigja e Hamasit mund të jepet të hënën gjatë takimit që negociatorët e grupit militant palestinez do të mbajnë me ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit në Kajro. Nëse Hamasi nuk e pranon marrëveshjen e armëpushimit, Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kërcënuar me nisjen e një operacioni ushtarak në qytetin më jugor të Gazës, Rafah.
Në Arabinë Saudite, Sekretari Blinken e përsëriti kundërshtimin e qeverisë amerikane për një sulm tokësor në Rafah “në mungesë të një plani izraelit për të siguruar mbrojtjen e civilëve”.
Izraeli këmbëngul që katër batalionet e fundit të paprekura të Hamasit janë strehuar në Rafah, ku janë mbledhur edhe qindra mijëra palestinezë që janë zhvendosur nga pjesë të tjera të Gazës.
Luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke kapur 253 pengje, sipas të dhënave izraelite.
Izraeli u hakmor duke nisur një kundërpërgjigje ushtarake që deri më tani, sipas të dhënave të Hamasit të pakonfirmuara nga burime të pavarura, ka vrarë më shumë se 34,000 palestinezë.
Pas Arabisë Saudite, zoti Blinken e vazhdon vizitën edhe në vende të tjera të rajonit, përfshirë Izraelin. Kjo është vizita e shtatë e Sekretarit Blinken në rajon prej tetorit të vitit të kaluar.