Bashkimi Evropian shtyn bisedimet me Kroacinë

Presidenti i Kroacisë shprehu optimizëm se vendi i tij do të fillojë së shpejti negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, megjithë shtyrjen e hapjes së bisedimeve të cilat ishin caktuar të fillonin nesër.

Presidenti Stipe Mesiç foli sot në Jeruzalem disa orë pasi ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian shtyjnë bisedimet për shkak se Zagrebi nuk ka arrestuar të dyshuarin për krime lufte, gjeneralin Ante Gotovina.

Ministrat e mbledhur në Bruksel nuk caktuan një datë tjetër për fillimin e bisedimeve. Por zoti Mesiç tha se pret që Kroacia do të përmbushë shpejt kushtet për fillimin e bisedimeve më Bashkimin Evropian, që do të thotë bashkëpunim të plotë me Gjykatën e Hagës.

Gjykata ka ngritur akuza kundër Gjeneral Gotovinës për rolin e tij në vdekjen e 150 civilëve në vitin 1995 gjatë një inkursioni të ushtrisë kroate nëpër territoret kroate nën kontrollin serbëve. Kroacia ka thënë vazhdimisht se po bashkëpunon plotësisht me gjykatën.