Ohër: Presidentët Cërvenkovski dhe Moisiu komentojnë mbi Kosovën

Në një takim që patën të mërkurën në Ohër, Presidenti i Maqedonisë Branko Cërvenkovski dhe presidenti i Shqipërisë Alfred Mojsiu thanë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe sipas tyre qeveritë e dy vendeve po përmbushin detyrimet e Kartës së Adriatikut për integrim në NATO.

Zoti Mojsiu tha se Shqipëria mbështet qëndrueshmërinë dhe demokratizimin e Maqedonisë. Ai i vlerësoi si të suksesshme zgjedhjet vendore, që u organizuan në bazë të planit të decentralizimit.

Presidenti shqiptar theksoi se çështje e ndjeshme në rajon është edhe Kosova dhe se sipas tij duhet të fillojnë bisedimet për zgjidhjen e statusit të saj përfundimtar. "Zgjidhja e statusit përfundimtar duhet të vijë në përputhje me dëshirën e qytetarëve të Kosovës dhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare. Shqipëria dhe Maqedonia janë të interesuara që ky problem të zgjidhjet dhe i gjithë rajoni të fitojë qëndrueshmërinë e duhur”, tha zoti Moisiu.

Presidenti maqedonas, Branko Cërvenkovski deklaroi se dy vendet do të ndjekin rrugën e njejtë për realizimin e detyrimeve të përbashkëta për integrime në strukturat euroatlantike. Ai përmendi arritjet që janë realizuar në vend në aspektin e zbatimit të Marrveshjes së Ohrit dhe të reformave institucionale. Zoti Cërvenkovski tha se është i kënaqur nga qëndrimi i autoriteteve shqiptare për njohjen e Republikës së Maqedonisë me emrin e saj zyrtar.

Lidhur me zhvillimet në Kosovë, presidenti maqedonas tha se statusi i ardhshëm i këtij vendi fqinj nuk duhet të rrezikojë qëndrueshmërinë në rajon. Presidentët Mojsiu dhe Cërvenkovski thanë se marrëdhëniet midis dy vendeve do të vazhdojnë të thellohen në të gjitha nivelet institucionale.