Le t’u hedhim tani një vështrim disa prej njoftimeve ekonomike të javës. Raportet e kësaj jave për tregtinë dhe shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara flasin për një forcim të mëtejshëm të ekonomisë. Por nga ana tjetër industria e filmit dhe ajo ajrore po shfaqin probleme.
Deficiti tregtar amerikan u pakësua mjaft në muajin mars duke arritur nivelin më të ulët në gjashtë muajt e fundit.
Qeveria thotë se hendeku midis asaj që amerikanët blejnë nga të huajt dhe asaj që ata shesin jashtë, u ngushtua në 55 miliard dollarë.
Edhe deficiti me Kinën, i cili është një çështje politikisht delikate, u pakësua, ndërkohë që eksportet kineze të tekstileve u ngadalësuan.
Megjithatë, deficiti tregtar amerikan vazhdon të jetë i lartë dhe për këtë vit pritet të arrijë rekordin e 700 miliard dollarëve.
Gjatë muajit prill, shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara u rritën më shumë se parashikimi duke arritur nivelin më të lartë të shtatë muajve të fundit.
Një gjykatës në Shtetet e Bashkuara urdhëroi që kompania United Airlines të përdorë një pjesë nga fondet e pensioneve, duke i hapur rrugën falimentimit më të madh të një fondi të tillë në historinë e korporatave amerikane.
Kjo do t’i kursente shoqërisë ajrore rreth 645-million dollarë në vit.
Ndërkohë, Delta, kompania e tretë më e madhe ajrore, thotë se mund t’i duhet të bëjë shkurtime më të thella shpenzimesh për të shmangur falimentimin. Kompania Delta Airlines po zbaton aktualisht një plan shkurtomesh prej 5 miliard dollarësh
Prodhuesi i dytë më i madh i makinave, Toyota, raportoi fitime vjetore prej 11 milirad dollarësh.
Shitjet e Toyotës janë shtuar nga prodhimi i automjeteve të saj hibride që përdorin motor me energji elektrike dhe benzinë për të kursyer karburant.
Sezoni veror i filmave në Amerikën Veriore filloi i ngadaltë nga pikpamja financiare: të ardhurat për 12 filmat më të mirë ranë 24 përqind krahasuar me të njëjtin sezon vitin e kaluar.
Filmi që shiti më shumë bileta fundjavën e kaluar ishte prodhimi epik "Kingdom of Heaven," i cili siguroi 20 milionë dollarë.