Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë kategorikisht pretendimin e Moskës se Uashingtoni përdor agjencitë jo-qeveritare për veprimtari spiunazhi në Rusi.
Ambasada amerikane në Moskë lëshoi të premten një deklaratë pas komenteve që bëri të enjten Drejtori i Shërbimit Federal Rus të Sigurimit, Nikolai Patrushev.
Ambasada po ashtu hodhi poshtë zërat se individë të Korpusit Amerikan të Paqes kanë kryer veprimtari spiunazhi në Rusi. Vullnetarët e Korpusit të Paqes u tërhoqën nga Rusia në vitin 2003 mes akuzave se merreshin me spiunazh.
Zoti Patrushev akuzoi të enjten agjentë të fshehtë amerikanë, britanikë, kuvajtianë dhe sauditë se shfrytëzojnë organizatat jo-qeveritare për të minuar ndikimin e Rusisë në rajon dhe për të mbështetur ndryshimet në qeveritë e ish republikave sovjetike.
Zoti Petrushev la të kuptohet se tani radha i ka ardhur Bjellorusisë.
Agjencia e lajmeve Interfaks citon shefin e agjencisë së zbulimit të Bjellorusisë të ketë thënë se Minsku ka njohuri rreth planeve të vendeve të huaja, për të përmbysur qeverinë bjelloruse.