Masa të reja sigurimi në portin amerikan të Oklandit

Porti i qytetit Okland në Kaliforni është i pari në Shtetet e Bashkuara që ka filluar të kontrollojë për rrezatim radioaktiv 100 për qind të mallrave që zbarkohen në port. Perceptorët e rinj janë projektuar për të shërbyer si masë që do t’u presë rrugën përpjekjeve të terroristëve për të importuar elementë që përdoren për të prodhuar bomba me radioaktivitet.

Afro 5 mijë kontenierë me mallra futen në Shtetet e Bashkuara çdo ditë përmes Portit të Oklandit. Nat Aycox është punonjës i agjencisë së doganave dhe kufirit në Departamentin e Sigurimit Kombëtar. "Ne po kontrollojmë ngarkesat për të zbuluar se mos ka shenja veprimesh terroriste dhe po përpiqemi të gjejmë mënyra të ndryshme për të interceptuar kontenierë që mund të kenë armë të shkatërrimit në masë," thotë zoti Aucox.

Skanuesit e rrezatimit janë si receptorë të radioaktivitetit për disa lloje energjish. Çdo kontenier përshkon sistemin e kontrollit dhe nëse bie alarmi, kontenieri kalon nëpër një sistem të dytë kontrolli. Nëse aktivizohet edhe skanuesi i dytë, kontenieri kontrollohet me një mjet dore për të zbuluar burimin e rrezatimit. Zyrtarët thonë se këto mjete mund të kontrollojnë për çdo material që emeton rrezatim, përfshirë edhe bomba radioaktive. Ata thonë se ky sistem me disa etapa do të ndihmojë për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga terroristët dhe armët e tyre.

Çdo ditë ngarkesa me fruta si bananet, apo kontenierë me prodhime qeramike aktivizojnë 15-20 alarme falso, shpjegon kryeinspektori: "Burimet natyrale të rrezatimit që shkaktojnë aktivizimin e alarmit janë graniti, materialet qeramike, pra artikuj me përmajtje të lartë potasiumi," thotë kryeinspektori Stiv Bekster.

Një shumë prej 4 milion dollarësh është shpenzuar për të pajisur portin e Oklandit si dhe portet në qytetet e tjera në Gjirin e San Franciskos. Oklandi është porti i parë në vend që po skanon çdo kontenier. 300 portet e tjera të vendit pritet të marrin pajisje të ngjashme në të ardhmen.