Presidenti Bush nderon veteranët amerikanë

Presidenti Bush nderoi veteranët amerikanë në një ceremoni në Varrezat Kombëtare në Arlington, ku vuri një kurorë me lule, ndërkohë që vazhdojnë ceremonitë me rastin e Ditës së të Rënëve.

Mbi 260 mijë vetë prehen në varrezat që mbulojnë kodrat në brigjet e Lumit Potomak në afërsi të Uashingtonit, përfshirë edhe veteranë të të gjitha luftrave amerikane.

Këtë vit amerikanët do t’i bëjnë një nderim të veçantë të rënëve që prehen në seksionin e ri numër 60 të Varrezave. Këtu janë varrosur ushtarë, detarë, marinarë dhe pjesëtarë të forcave ajrore amerikanë që u vranë në Afganistan dhe Irak.

Sipas kërkesës së familjeve të tyre, rreth 135 pjesëtarë të forcave ushtarake amerikane nga dy luftrat e fundit janë varrosur në këtë seksion.

Mbi 1 mijë e 600 amerikanë u vranë në Afganistan dhe Irak që kur Shtetet e Bashkuara filluan luftën globale kundër terrorizmit katër vjet më parë.