Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Carla del Ponte vendosi mos e apelojë vendimin e gjykatës që autorizon lirimin e përkohshëm të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në pritje të fillimit të gjyqit për të.
Një zëdhënëse e Gjykatës, Florence Hartmann e deklaroi sot vendimin, por nuk dha një datë konkrete për lirimin e tij. Gjykata dha dje autorizimin për lirimin e zotit Haradinaj, por e pezulloi menjëherë atë për t’u dhënë prokurorëve 24 orë kohë për apelim.
Zoti Haradinaj dha dorëheqje nga posti i tij në muajin mars dhe iu dorëzua Gjykatës së Hagës pasi kjo gjykatë ngriti padi kundër tij. Ish kryeministri i Kosovës i mohon akuzat, duke thënë se veprimet e tij ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar.