Shqipëri: Zgjedhjet dhe angazhimi i shoqërisë civile

Tundimit për t’u përfshirë në veprimtari politike nuk i rezistuan dot sivjet një numër i madh ekspertësh të organizatave joqeveritare, që po kandidojnë për deputetë në partitë të ndryshme. Ndërsa për partitë politike kjo dukuri mund të jetë një përpjekje për reformim, nga ana tjetër kjo vlerësohet nga vëzhguesit si një humbje për shoqërinë civile.

Specialistë të fushave të ndryshme me kontribute të mëdha në jetën e shoqërisë civile duke bërë të dëgjohet zëri i qytetarëve shqiptarë, i pranuan megjithatë ftesat e pozitës dhe opozitës për të kandiduar për deputetë, madje përballë rivalëve më të fortë të palës kundërshtare. “Duke qenë se roli i shoqërisë civile është për të ushtruar trysni mbi shtetin për ta sjellë atë në parametra sa më demokratikë dhe t’u shërbejë sa më mirë masës së njerëzve, përfshirja e shoqërisë civile në politikë konfondon qëllimin për të cilin ajo është krijuar” - thotë juristi i njohur Arben Ristani. Ai shton se partitë politike, qeveria, parlamenti dhe organizatat e shoqërisë civile kanë secila detyra të qarta në një vend demokratik. “Ato mund të ndikojnë me presione e lobime ndaj njëra-tjetrës, por nuk ka pse të ndërrojnë vendet. Nëse këta njerëz të shoqërisë civile futen në strukturat e partive janë shumë komodë për lidershipin e partive; sepse nuk ju bëhen të rrezikshëm, sepse vijnë pa patur njerëz që votojnë për ta brenda strukturave të partisë dhe është në dorë të lidershipit për t’i komanduar”.

Ndërtimi i organizatave joqeveritare është në fakt një investim i rëndësishëm për shoqërinë, por nevoja për të reformuar klasën politike shqiptare i vuri shumë ekspertë e teknokratë përballë dilemës nëse duhej të përfshihen në politikë për të qenë më afër strukturave vendim-marrëse dhe për të bërë realitet më lehtë projektet dhe studimet e tyre.

Kreshnik Spahiu i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve (CAO), i cili refuzoi shumë ftesa për të kandiduar si deputet, mendon se ndihma më e mirë për qytetarët është që të punojë në një organizatë joqeveritare. “Ka patur një garë të shfrenuar të individëve të organizatave joqeveritare dhe të shoqërisë civile për të kandiduar dhe atashuar pranë partive politike. Dhe mund të themi me bindje të plotë që ky është një nga momentet më të vështira të shoqërisë civile shqiptare. Shumë organizata joqeveritare rrezikojnë të humbasin identitetin e tyre” - thotë ai.

Zoti Spahiu thotë se përfshirja në politikë e njerëzve të organizatave joqeveritare ka dëmtuar jo pak funksionimin e shoqërisë civile me humbje të mëdha në njerëz profesionistë dhe në besueshmërinë e këtyre strukturave. “Përsëri në këto zgjedhje të fundit aktorët kryesorë të politikës shqiptare mbetën të njëjtë, lidershipi i partive mbetet po ai që ka qenë në 4 vitet apo 15 vitet e fundit. Në këto kushte, përvec ndonjë ndikimi në platformat apo në fushatën elektroale, pra në fasadën e partive, angazhimi i individëve nga shoqëria civile nuk ka sjellë asnjë c.v. apo ndonjë precedent pozitiv për shoqërinë shqiptare”.

Nisur nga pesha e rëndë që kanë kryetarët në jetën e partive dhe nga raste dekurajuese të mëparshme, analistë të jetës politike japin argumente të kundërta lidhur me çështjen se sa do të ndikojnë realisht këta njerëz të shoqërisë civile në përmirësimin e qevrisjes dhe punës së partive politike.