Irani dhe bisedimet me Bashkimin Evropian

Presidenti Bush mbështeti mbajtjen e bisedimeve të disa vendeve evropiane me Teheranin lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe tha se Uashingtoni vazhdon ta konsiderojë zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani një veprimtari të papranueshme.

Pas bisedimeve me Kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder, zoti Bush tha se mbështet përpjekjet e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për ta bindur Teheranin të ndalojë përgjithmonë të gjitha aktivitetet për pasurimin e uraniumit si shkëmbim për koncesione ekonomike.

Ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve thanë sot se shpresojnë që zgjedhja e konservatorit Mahmoud Ahmadinejad si President i Iranit nuk do ta ndryshojë rendin e bisedimeve për armët bërthamore. Zoti Ahmadinejad ka thënë se vendi i tij do të zhvillojë bisedime me Britaninë e Madhe, me Francën dhe me Gjermaninë, por Teherani do të vazhdojë të këmbëngulë se gëzon të drejtën të zhvillojë teknologji bërthamore për qëllime paqësore, si për shembull për të prodhuar energji elektrike.