SHBA i bëjnë thirrje Shqipërisë të mos vonojë certifikimin e rezultateve zgjedhore

Në një deklaratë të bërë dje nga i ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara pranë Misionit të OSBE-së në Vjenë, Paul Jones, i bëhet thirrje Shqipërisë të përfundojë pa vonesë procesin e certifikimit të rezultateve zgjedhore.

Në deklaratën e bërë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, thuhet se Shtetet e Bashkuara e përshëndesin angazhimin ndaj zhvillimit demokratik të treguar nga populli i Shqipërisë në zgjedhjet e 3 korrikut. Jemi të inkurajuar, thuhet në deklaratë, nga fakti që aq shumë shqiptarë ushtruan të drejtën e tyre për të votuar.

Deklarata vlerëson Komisionin Qendror të Zgjedhjeve “për punën e tij përgjithësisht profesionale dhe transparente si dhe policinë për qendrimin e saj të matur përpara dhe gjatë procesit zgjedhor.” Në të njëjtën kohë, thuhet në deklaratën e Misionit amerikan pranë OSBE-së, është e qartë se në procesin zgjedhor pati probleme teknike, siç u vu në dukje edhe në përfundimet paraprake të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.

Në qendrat e votimit, vazhdon deklarata, kishte mbingarkesë dhe vonesa të papranueshme dhe në shumë raste këto qendra votimi nuk i zbatuan me korrektesë procedurat që synonin të garantonin identitetin e votuesve dhe të shmangnin votimin e shumëfishtë. Lëshimi dhe përdorimi i certifikatave të lindjeve në procesin e identifikimit të votuesve ishte problematik, po ashtu edhe mungesa e një sistemi të njësuar adresash për të gjithë vendin si dhe të dokumenteve të standardizuara të identifikimit. Jemi të mendimit, thuhet në deklaratën e Misionit amerikan pranë OSBE-së, se sistemi i tanishëm zgjedhor do të mbetet objekt abuzimi derisa Shqipëria t’i zgjidhë plotësisht këto probleme.

Deklarata bën thirrje që procesi i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të përfundojë pa vonesë. Shtetet e Bashkuara, thekson deklarata, janë plotësisht dakord që çdo mosmarrëveshje rreth rezultateve të zgjedhjeve t’u kalohet organeve përkatëse dhe që vendimet e tyre të pavarura të respektohen plotësisht. Deklarata bën gjithashtu thirrje që të gjitha çështjet ligjore të zgjidhen pa vonesë dhe me drejtësi dhe që këto vendime të respektohen plotësisht.