12 ushtarë afganë vriten nga shpërthimi i një mine

Njoftimet nga Afganistani bëjnë të ditur se 12 ushtarë afganë u vranë të dielën kur automjeti i tyre ndeshi në një minë në provincën lindore Paktika. Njoftimet citojnë një zëvendës-shef policie të provincës, sipas të cilit nuk është e qartë nëse shpërthimi ishte pjesë e një sulmi apo rezultat i një mine të vjetër që ka mbetur nga luftrat e çerek shekullit të fundit në këtë vend.

Po të dielën në provincën jugore Kandahar policia afgane vrau tre kryengritës talebanë gjatë një shkëmbim-zjarri pranë qytetit Spin Bolak në kufi me Pakistanin.

Në një incident tjetër në të njëjtën provincë, dy shoferë afganë u vranë kur gueriljet talebane sulmuan dhe i vunë zjarrin një autokolone që po dërgonte karburant në bazat ushtarake amerikane në provincën Uruzgan.

Incidentet e fundit kryhen një ditë pasi persona të dyshuar si luftëtarë talebanë vranë 10 policë afganë në një pritë në provincën jugore Helmand.