Hidhet në erë shtylla e tensionit të lartë e lidhjes me Kosovën

Në Shqipëri, një shtyllë e tensionit të lartë e linjës së interkoneksionit me Kosovën, është hedhur në erë mbrëmë pas një shpërthimi eksplozivi të vendosur në katër këmbët e saj. Sipas njoftimit të korporatës energjitike shqiptare, bëhet fjalë për një dëmtim shumë të rëndë që do të kërkojë të paktën 2 muaj kohë për t’u riparuar.

Linja e interkoneksionit me Kosovën cilësohet si ndër më të rëndësishmet për të siguruar furnizimin me energji nga importi. Korporata energjitike ka paralajmëruar se dëmtimi i rëndë do te shkaktoje anomali ne furnizimin e rregullt me energji elektrike ne pothuaj gjithe sistemin elektro-energjetik te vendit. Ende nuk ka asnjë të dhënë mbi motivet dhe autorët e kësaj ngjarjeje, e cila pason një seri ngjarjesh të rënda kriminale që kanë ndodhur në Shqipëri dy javët e fundit, ku janë regjistruar të paktën 13 vrasje, një pjesë e mirë e të cilave ekzekutime të tipit mafioz.

Për situatën e krijuar mbrëmë presidenti Alfred Moisiu u takua me drejtuesit e strukturave të sigurisë në vend. Ngjarjet kriminale të kohëve të fundit ka theksuar presidenti dëmtojnë imazhin e vendit po dhe sezonin turistik të verës nga i cili vendit i sigurohen të ardhura të konsiderueshme. Presidenti Moisiu u kërkoi drejtuesve të organeve përkatëse të marrin masat dhe të veprojnë me vendosmëri për të parandaluar çdo akt kriminal si dhe të bëjnë maksimumin për venien para drejtësisë të autorëve.