Kosovë: Debate të reja rreth decentralizimit

Qeveria e Kosovës paralajmëroi një plan të ri për procesin e decentralizimit, duke nxitur reagime kundërthënëse. Pas takimit të djeshëm me zevëndësshefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Larry Rossin, kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi paralajmëroi se qeveria e tij do të shqyrtojë një plan të ri për decentralizimin, që do të ketë pak ndryshime nga plani i parë.

Por Ministri i pushtetit lokal, Lutfi Haziri mohoi ndërkohë të ketë një plan të dytë. Në një deklaratë për opinion ai theksoi se propozimi i ri është ofertë e sinqertë për komunitetin serb, bazuar në parimet e shumëetnisë ku nuk lejohen ndarje territoriale në baza etnike apo hapje të korridoreve dhe mbetet plotësisht brenda dokumentit kornizë të reformimit të qeverisjes lokale.

Koncepti i Qeverisë lidhur me Reformën e Pushtetit Lokal nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë, ka theksuar ministri Haziri. Zyrtarët e qeverisë nuk kanë dhënë hollësi për versionin e ri të decentralizimit I cili mësohet se parasheh krijimin e të njëjtave njësi komunale por me ndryshime të kufijve të tyre.

Zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara nuk kanë bërë shumë komente duke nënvizuar se tërë procesi drejtohet nga qeveria e Kosovës. Ndërkaq opozita ka kritikuar ashpër qeverinë duke i cilësuar paralajmërimet për një plan të ri si dështim të kabinetit qeveritar.

Fehmi Mujota, nga Partia Demokratike, cili është edhe anëtar i Kabinetit të qeverisjes së mirë, apo, sic quhet shpesh këtu, qeverisë në hije të themeluar nga Partia Demokratike, tha se qeveria por edhe faktorët tjerë vendas e ndërkombëtarë, duhet të pranojnë dështimin e procesit i cili sipas tij, mund të zbatohet vetëm pas zgjidhjes së cështjes së Kosovës.

Përfaqësuesit e komunitetit serb e kanë përshëndetur vendimin e qeverisë duke theksuar se pa pjesëmarrjen e të gjitha bashkësive etnike dhe të të gjitha palëve të interesuara, plani nuk do të mund të kishte qenë i mirë dhe i suksesshëm. Oliver Ivanoviq, drejtues i Listës serbe për Kosovën dhe Metohinë, tha se ky është një rast që edhe Beogradi zyrtar të ndihmojë në mënyrë konstruktive ndërtimin e konceptit të qeverisjes vendore meqë sipas tij, pjesëmarrja e serbëve është e domosdoshme që decentralizimi të ketë sukses.

Javën e ardhshme pritet një vendim i përfaqësuesve serb lidhur me përfshirjen e tyre në këtë proces të cilin ata e kishin bojkotuar deri tash. Decentralizimi është pjesë e standardeve parësore që duhet përmbushur para fillimit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Java që po lëmë pas kaloi në shenjë të trysnive ndaj qeverisë nga diplomatë ndërkombëtarë, të cilët e kanë qortuar atë për ngadalësim të procesit.

Dita e martë ndërkaq, pritet të hedhë më shumë dritë në versionin e ri të planit dhe rrugët që do të ndiqen për zbatimin e këtij procesi, i cili që nga fillimi është përshkuar nga kundërthënie e mospajtime të thella.